DnV: Fushata me shkelje flagrante të masave anti-Covid, zero transparencë për marrëveshjet e koalicioneve

Prishtinë | 13 Nën 2021 | 11:31 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se fushata zgjedhore e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale është zhvilluar me shkelje flagrante ndaj masave kundër përhapjes së virusit Covid-19, raporton Ekonomia Online.

Eugen Cakolli nga DnV-ja, tha në një konferencë për medie, se fushata zgjedhore nuk është ndërprerë që nga shpallja e rezultateve të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 17 tetor.

“Fushata ishe më shumë përmbyllje e aktivitetit të cilat nuk e kanë ndërpre aktivitete që nga shpallja e rezultateve në raundin e parë. Menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve, fushata e kandidatëve të subjekteve politike u zhvendos nga ajo dixhitale tek aktivitetet tradicionale – duke përfshirë tubime me pjesëmarrje të madhe qytetare apo defilimeve nëpër sheshe publike. Ndonëse nuk munguan edhe postimet nëpër rrjete sociale, format kryesore të fushatës ishin tubimet publike dhe pjesëmarrja në emisione televizive. “.

“Aktivitete e kandidatëve janë zhvilluar në shkelje flagrante të masave anti-Covid në fuqi. Mos mbartja e maskave, mungesa e distancave janë evidentuar në secilin ngjarje. Mungesa e kontrolleve sistematike nga Policia e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në kombinim të mungesës së gjobave nga këto institucionet, të cilat edhe atëherë kur kanë qenë të shqiptuara kanë qenë në vlerë të vogël, ka bërë që aktivitete të zhvillohen lirshëm dhe të intensifikohen, ku numri i tyre varion nga qindra e mijëra sosh. Edhe në rastet kur KQZ ka thënë se janë duke zhvilluar aktivitete me shkelje ndaj masave, institucionet nuk kanë vepruar. Po ashtu janë zhvilluar aktivitet brenda në objekteve të shkollave, përkundër se MAShTI ka ndaluar atë”.

Tutje, Cakolli tha se marrëveshjet e koalicioneve partiake nuk janë bërë publike për qytetarët. Ai theksoi se në programet qeverisëse nuk është bërë e ditur ekipi me të cilën do të punojë kryetari i ardhshëm.

“Dukuria e koalicioneve në mes të subjekteve politike apo kandidatëve të tyre nëpër komuna të ndryshme ka qenë mjaft e shprehur, edhe pse në raste të caktuara ato nuk janë formalizuar. Sidoqoftë, në disa komuna, subjektet politike dhe kandidatët kanë deklaruar se nuk do të lidhin koalicione me subjektet tjera. E në rastet kur ka pasur koalicione, fatkeqësisht as në këtë proces zgjedhor, marrëveshjet për koalicione nuk janë bërë publike. Kësisoj, qytetarët kanë mbetur të painformuar mbi pikat e dakorduara programore apo ndarjen e përgjegjësive qeverisëse, gjë që paraqet mungesë transparence në raport me qytetarët. Programet kanë qenë të njëjta me atë të raundit të parë. Sa i përket publikimit të programeve ka pasur avancim, ku programet kanë qenë të qasshme për qytetarët. Sidoqoftë edhe pse janë bërë programet publike nuk kanë treguar se kush do të jetë ekipi i tyre për implementimin e këtyre programeve”.

Sipas hulumtimit të DnV-së, dukuria e abuzimit me resurset publike gjatë fushatës ka qenë dukshëm më pranishme në garën e balotazhit.

“Kjo është manifestuar përmes pjesëmarrjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar në tubime publike apo ecjeve nëpër sheshe, kryesisht gjatë orarit të punës. Njëkohësisht, përfshirja e ekzekutivit të nivelit qendror në garën lokale përmes ofrimit të mbështetjes për kandidatët e atij subjekti politik, duke ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ofrimin e ndihmës financiare nga Qeveria, ka ndikuar në parimin e garës së barabartë zgjedhore. Po ashtu, edhe një pjesë e deputetëve, nga pothuajse të gjitha partitë, kanë qenë aktivisht të përfshirë në aktivitetet e fushatës”.

Formati i debateve i organizuar me dy kandidatë ka qenë më përmbajtjesor, thotë Cakolli.

“Emisionet dhe debatet televizive mes kandidatëve kanë qenë vlerë e shtuar e kësaj periudhe. Formati i debateve vetëm me dy kandidatë ka mundësuar diskutime më të thukëta e përmbajtësore lidhur me ofertat programore të kandidatëve, për dallim nga debatet e raundit të parë kur kjo është pamundësuar nga numri i madh i kandidatëve pjesëmarrës dhe hapësira e ngushtë kohore. Megjithatë, edhe pse është shënuar përmirësim në këtë drejtim, sërish mbetet hapësirë për avancim të mëtutjeshëm, meqenëse për një pjesë të komunave janë zhvilluar vetëm emisione individuale me kandidatët përkatës”.

Në fund, DnV u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë që të kontribuojnë në avancimin e demokracisë.

“Nesër të dalin dhe të votojnë masivisht, duke kontribuuar në avancimin e demokracisë. DnV do të ketë 90 vëzhgues që do të jenë të shpërndarë të komunat ku do të ketë votime”.

Të ngjashme