Elezi: Nis numërimi i 9 313 votave me kusht, në Dragash mund ta ndryshojnë fituesin

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 16:33 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i 9,313 votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat u takojnë raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që u mbajt më 14 nëntor.

Numërimi i këtyre votave ka rëndësi sidomos për rezultatin në Komunën e Dragashit, pasi që aktualisht kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, është vetëm 143 vota para kandidatit të PDK-së, Shaban Shabani. Numri i zarfeve të fletëvotimeve me kusht në komunën e Dragashit, sipas të dhënave të KQZ-së, është 211.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka thënë se “Gjatë ditës së zgjedhjeve janë hedhur 10,303 vota të cilat janë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Pas procesit të verifikimit të tyre, janë konfirmuar 9,313 vota me kusht, ndërsa janë refuzuar 990. Arsyet e refuzimit mund të kategorizohen në 3 grupe: Votuesi me kusht ka votuar më shumë se një herë; votuesi me kusht nuk është në listën e votuesve; dhe votuesi me kusht nuk është nga komuna në të cilën ka votuar.

Pra, në vazhdim do të numërohen 9,313 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, rezultati i të cilave i bashkohet rezultatit të numërimit të fletëvotimeve në venndvotime dhe votave nga jashtë Kosovës, . Ai ka treguar thënë para mediave KQZ-ja është duke u angazhuar në përmbylljen e të gjithë procesit të Zgjedhjeve Lokale 2021.

Sipas tij, pjesa më e madhe e rezultateve tashmë janë certifikuar nga ky institucion.

“Gjithashtu, dua të njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u angazhuar që të përmbyllë procesin e zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, pasi ishte shpallur data e zgjedhjeve lokale. Deri më tani, KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kryetarë të 17 Komunave, që janë mbajtur më 17 tetor. Në proces është shpallja dhe certifikimi i rezultatit përfundimtar të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave që u mbajtën më 14 nëntor”, tha Elezi.

“Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të një procesi zgjedhor, kjo bëhet nga KQZ-ja pasi të bëhet numërimi i votave nga jashtë Kosovës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht; si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur. Pas përmbylljes së këtyre proceseve të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare”, tha Elezi.

Lexo më shumë:

Të ngjashme