Hoti: LDK po përballet me kundërshtarë të majtë, që s’kanë besim as në Zot e as në shtet

Prishtinë | 06 Shk 2021 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të shtunën gjatë tubimit elektoral në Kaçanik se oponentë e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk kanë asgjë për t’i ofruar Kosovës dhe qytetarëve të saj.  

“I kemi përballë disa kundërshtarë që janë të majtë, që s’kanë besim as në Zot, as në shtet dhe në asgjë. Ata shërbehen veç me parulla dhe e kanë gjenezën në atë sistemin komunist për të cilin LDK-ja ka punuar shumë që ta përmbysë. Në listën e tyre gjeni njerëz të tillë, gjeni adhurues të komunizmit, gjeni njerëz ekstremistë të të gjitha llojeve. Ata s’kanë asgjë për të premtuar, përveç konfrontimeve e sharjeve. Por çka është me rëndësi, pas disa vitesh po turpërohen nga fjalët e tyre dhe po vrapojnë dhe po i heqin nga ueb faqja. Ata po turpërohen nga të bëmat e tyre për 20 vjet dhe po provojnë me IT t’i fshijnë gjurmët e turpit”, tha Hoti. 

Kandidati i LDK-së, tha se vetëm kjo parti ka program të qartë për zhvillimin e Kosovës. 

“Shihni këta të majtit që i shohin bizneset si oligarkë dhe duan që t’iu dërgojnë inspektorët, me ju rritë taksat dhe me ju vendos dividendë. Ne nuk i shohim kështu bizneset. Ne biznesin e shohim si partnerë në ndërtimin e shtetit. I garantoj të gjitha bizneset se me qeverisjen e LDK-së, inspektorët nuk do t’ju trokasin në derë pasi ne do të digjitalizojmë të gjitha shërbimet publike”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.  

Duke folur për të arriturat gjatë kohës sa ishte në krye të qeverisë, Hoti përmendi menaxhimin e mirë me pandeminë, ndihmën e dhënë për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset e prekura nga pandemia, ndërsa ndër sfidat me të mëdha përmendi rregullimin e raporteve me aleatët perëndimorë, që ishin dëmtuar nga qeveria paraprake.  

“Kjo nuk ishte aspak e lehtë por e them me kënaqësi që dyert na u hapën pasi unë isha kryeministër nga LDK-ja e presidentit Rugova. Në shkuam në Shtëpinë e Bardhë dhe arritëm një marrëveshje që e fuqizon shtetin e Kosovës dhe siguron 1 miliard euro investime”, tha Hoti.  

Duke folur për projektet që pritet të realizohen në Kaçanik, kandidati i LDK-së përmendi rrugën Viti-Kaçanik, stadiumin e Kaçanikut, palestrën sportive dhe shumë projekte tjera.  

“14 shkurti do të jetë veç hapi i parë i fitores , në vjeshtë do e marrim  për qeverisje edhe Kaçanikun, jo duke i mashtru qytetarët me pallma por duke realizu projekt zhvillimore’, tha Hoti duke ftuar që të votohet LDK dhe numri 132. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme