Hyseni shpall fitoren: E nisëm me bindjen e ndryshimit në Gjilan, ia dolëm

Prishtinë | 14 Nën 2021 | 21:04 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, ka reaguar pas rezultateve të KQZ-së për këtë komunë, ku atje po prinë vet Alban Hyseni.

Ai tha se këtë fushatë e kanë nisë me bindjen se do të sjellin ndryshimin në Gjilan, dhe sipas tij, ia dolën.

Ai tha se çdo problem që është shkaktuar në këtë komunë tash e sa vjet, ka një zgjidhje dhe se do i vije dita e ndryshimit.

“E Jemi të sigurtë në projektet e programet që i kemi, e që bashkë t’ia nisim rrugës për ngritjen e përfundimin e tyre. Ne nuk kemi premtuar të pamundurën, ne nuk premtojmë gjëra të parealizueshme. Ne kemi premtuar të pamundurën që shohim sot, por që e kthejmë në realitet, me shumë punë e përkushtim. Nuk ka më pritje, tash e tutje të ardhmen e ndërtojmë bashkë”, ka shkruar Hyseni në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ai thotë se qeverisja e tij do të jetë gjithëpërfshirëse, dhe si të tillë do të bashkëqeverisin me qytetarët në çdo lagje e çdo fshat.

“Qeverisja jonë është gjithëpërfshirëse e si e tillë, tash e tutje, bashkëqeverisim në çdo lagje, çdo fshat, për të gjitha moshat, për të gjitha shtresat, për të gjitha komunitetet, për të gjitha bizneset, e mbi të gjitha për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Ju, mund të mbështeteni në zanin e ri e udhëheqjen e re që e sollëm bashkë”, ka thënë Hyseni

Të ngjashme