Kandidatët për kryetar të Suharekës zotohen për bashkëpunim me biznese e subvencionime meritore

Suharekë | 30 Sht 2021 | 11:00 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Biznesit në Suharekë ka organizuar takimin me kandidatët për kryetar nga kjo komunë, ku u shpalosen programet e tyre për zhvillim ekonomik dhe idetë e tyre për bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, raporton Ekonomia Online.

Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin: Salih Zyba nga VV; Ardian Shala nga LDK dhe Murtez Zekolli nga PDK.

Gani Sallauka, Kryetar i Shoqatës së Bizneseve, tha se edhe kryetari aktual dhe kandidati i AAK-së, bali Muharremaj e ka konfirmuar pjesëmarrjen, mirëpo nuk ka mundur të vij.

“Me datën 27 bordi për biznese doli me iniciativë të thërras në takim për programin ekonomik kandidatët nga katër subjekte që garojnë në komunë. Kryetari aktual dhe kandidati për AAK e ka konfirmua pjesëmarrje mirëpo për arsye të tij nuk ka ardhur”.

Kandidati i VV-së, Salih Zyba, tha se prioritet i tij është forcimi i bashkëpunimit institucional me bizneset, pasi sipas tij deri më tani qeverisja aktuale në këtë komunë ka dështuar në këtë drejtim.

“E konsideroj të rëndësishme këtë iniciativë, qytetarët presin ndryshim. Shumicën e rasteve bëhet fjalë për shumë parregullsi në këtë komunë. DO të ndërtojmë ura të bashkëpunimit me biznese. Ne do të jemi në dispozicion të bizneseve. Bashkëpunimi i bizneseve me komunë kanë dështua. Pandemia ka qenë që e ka nxjerr në pah bashkëpunimi institucional dhe i bizneseve. Çdo projekt që është për zonën nëse nuk kalon nga debati publik nuk do të kalojë më tej. Nuk ka projekt që është ndërtua për zonën”.

Tutje, Zyba tha se gratë ndërmarrëse do të subvencionohen, po ashtu edhe bizneset e mërgatës do të përkrahen që të vijnë të investojnë në Kosovë.

Më tej, ai u zotua se do ta funksionalizoj transportin publik.

Në anën tjetër, kandidati i LDK-së, Ardian Shala tha se prioritet i tij është gjenerimi i punësimit në këtë komunë.

“Suhareka ka potenciale të mëdha për të gjeneruar punësimin. Programin tonë  e kemi ndarë në shtatë shtylla: Arsim, shëndetësi, infrastrukturë, ekonomi, rini e kulture, bujqësi, turizëm. Ne mendojmë të fillojmë me dy mini zona, për t’iu dhënë mundësi bizneseve të reja  e të vogla. Këto zona do t’i ndajmë në  10-40 ari. Në Shirokë është një deponi për të cilën ka pasë ankesa nga qytetarët, ta shndërrojmë atë zonë në mundësi për biznesi”.

Shala tha se do të fokusohet edhe në përmirësimin e mirëqenies të të rinjve, duke i mbështetur idetë inovative të tyre.

“Ndër pak komuna që inkasojmë taksën komunale, kom mendua që ta zbresim në 0 taks”.

“Punësimi do të ndodh edhe në sektorin e bujqësisë, pasi do ta rrisim buxhetin e bujqësisë. Do të formojmë komisione që do t’i përcjellin subvencionet”.

Kandidati për kryetar të PDK, Murtez Zekolli tha se çështja e funksionimit të pushtetit lokal nuk është fontan dëshirash. Prandaj zotimet duhet të jenë reale.

Zekolli tha se Suhareka ka nevojë për rikthimin e funksionimit demokratik.

“Unë pashë një vendim që është marrë nga një ish kryetar për komunitet të biznesit dhe nuk është zbatuar i cili është i thirrur për t’i zbatuar. Unë si kandidat për kryetar komune gjatë qeverisjes për qytetar do të ofrojë siguri. Të metën më të madhe  kemi mos respektimin e ligjit. Suhareka ka nevojë për rikthimin e funksionimit demokratik. Zotohem për këto që i thashë. Aspekti ekonomik është çështje mjaft me rëndësi. Kam një plan program bukur të mirë për ekonomi dhe bujqësi”.

Tutje, ai tha se do t’i krijojë dy zona të reja industriale në Duhël dhe një mini zonë.

“Neve si komunë është marrë vendim për krijimin e një zone industriale. Zona ka qenë e papërshtatshme sepse kemi pasur hapësira të mjaftueshme ku kishim mundur të vendosnim zona industriale. Zona industriale ka qene e vogël nuk ka qene e mjaftueshme. Nëse do të jem kryetar i ardhshëm do t’i marr iniciativat për të krijuar edhe dy zona të reja në Duhël dhe një mini zonë në qytet të vogël. Zhvillimi ekonomik mund të rritet me zona industriale. Unë nuk jam për mi largu taksat komunale. Ne jemi për t’i largu lehtësirat e nevojshme”.

Po ashtu, ai u zotua se në bujqësi do t’i subvencionojë të gjitha veprimtaritë.

Gani Sallauka pyeti  se cila do të jetë struktura e investimeve.

Zyba se marrëveshja e partneriteti është obligative. Sa i përket lokaleve tha se është vendim që do të obligohet komuna me lirua në funksion të bizneseve. 

Ndërsa, Shala  tha se shumë biznese që kanë investuar dhe nuk kanë mundur të gjenerojnë punësim kanë mbetur disa vende pa punësim.

“Në plan program kemi  paraparë ndërlidhje me bizneset”.

Zekolli ka thënë se të gjitha marrëveshjet që i hartojnë institucionet komunale duhet të jenë të hartueshme, ndërsa  në rast të mos zbatimit të marrëveshje duhet të ketë edhe masa ndëshkuese.

Në anën tjetër, Aziz Tafaj nga Shoqata e Bizneseve, tha se kanë probleme me ujërat e zeza.

Të ngjashme