KQZ: Qendrat e votimit u hapën me kohë, s’dihet sa të infektuar me Covid kanë aplikuar për të votuar

Prishtinë | 17 Tet 2021 | 08:15 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Ndërsa për numrin e votuesve që janë të infektuar me Covid-19, Elezi ka thënë se ende nuk kanë shifër të saktë. Ndërkaq, 1 milion e 885 mijë e 448 kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.

“Sot në Republikën e Kosovës mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave. Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale”, ka thënë Elezi, raporton EO.

“Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës, dhe të dalin për të votuar. Gjithashtu, në këtë orë të parë të fillimit të procesit të votimit, njoftojmë të gjithë votuesit se në ueb faqen e KQZ-së, kqz-ks.org, është duke vazhduar të funksionojë aplikacioni përmes së cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendvotimin e tij të saktë”, ka thënë tutje ai.

Tutje, Elezi ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, me qëllim të informimit të rregullt për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve prelimanare, do t’iu njoftojmë me kohë.

Elezi tha se nuk ka informacione se sa persona të infektuar me Covid-19, kanë shprehur gatishmërinë për të votuar.

Të ngjashme