Krasniqi për rezultatet: VV i zhgënjeu qytetarët me arrogancë, partitë e tjera u rikthyen fuqishëm

Prishtinë | 18 Tet 2021 | 14:55 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike në vend Milazim Krasniqi në një deklaratë për Ekonomia Online ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Sipas tij, rezultatet  e zgjedhjeve janë imazh i mirë për vendin. Ai thotë se partia në pushtet Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë ngase është treguar arrogante dhe ka zhgënjyer qytetarët me politikën e saj.

“E para ky është një rezultat i mirë për Kosovën dhe për demokracinë në vend sepse zgjedhjet kanë shkuar shumë mirë, kanë qenë zgjedhje të rregullta edhe përkundër përpjekjeve të Vetëvendosjes dhe presidentes për të ndikuar te KQZ, prapë se prapë pavarësia e institucioneve ka mbetur e paprekur dhe rezultatet tregojnë që qytetarët kanë qenë për ndryshim”.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka zhgënjyer shumë qytetarët për këtë periudhe qeverisje me arrogancën e saj me incidente dhe veprimet e saj, duke tentuar në stabilitet për çka qytetarët duan qetësi dhe jo incidente dhe kjo ka favorizuar vetëm Listën Serbe, çka nuk është një gjë e mirë për vendin”.

Krasniqi thotë se këto zgjedhje kanë qenë të suksesshme për partitë e tjera ngase ofruan platforma, por edhe u reformuan.

Ai thotë se këtë reformë zgjedhore sikurse PDK-ja dhe LDK-ja duhet ta ndjek edhe Vetëvendosja.

“Në anën tjetër partitë tjera opozitare kanë një sukses të madh në këto zgjedhje dhe me reformat e tyre janë rikthyer fuqishëm në këto zgjedhje”.

“Në fakt këto reforma zgjedhore të bëra nga partitë tjera, respektivisht PDK-ja dhe LDK-ja besimi dhe reformat, edhe VV duhet te bëjë reforma, poashtu duhet cekur që VV ka përzgjedhur kandidatët më të dobët dhe kjo është një shenjë qe ajo duhet me të vërtetë të bëjë reforma”, tha Krasniqi.

Ai foli edhe për garën politike në kryeqytet duke e cilësuar Uran Ismailin si një ndër kandidatët më të mirë kurse Arben Vitinë si “dështak”, i cili ka arritur deri këtu falë afërsisë me Albin Kurtin, raporton EO.

“Fushata e Prishtinës apo gara e saj ka qenë interesante,  ka qenë për çdo lëvdatë, kemi pasur një kandidat të shkëlqyer si Uran Ismaili, natyrisht që PDK ka qenë më e dobët sikurse mandatet e tjera, por tash kemi një ballafaqim fantastik, kemi Përparim Ramën një person dhe arkitekt të mirëfilltë, dhe Arben Vitia si një dështak në ministrinë e shëndetësisë dhe që deri këtu ka mbërri falë afërsisë me Kurtin”.

Më poshtë gjeni rezultatin e 33 komunave në të cilat ka përfunduar numërimi i të gjitha votave:

  1. Deçan- fitues Bashkim Ramosaj (AAK) 65,17%
  2. Gjakovë- balotazh në mes Ardian Gjini (AAK) 46,00% dhe Mimoza Kusari-Lila (LVV) 37.08%
  3. Drenas- balotazh në mes Ramiz Lladrovci (PDK) 45,62% dhe Driton Ajazi (DD) 30,74%
  4. Dragash – balotazh në mes Bexhet Xheladini (LDK) 34,76% dhe Shaban Shabani (PDK) 33,69%
  5. Istog- balotazh në mes Ilir Ferati (LDK) 40,91% dhe Bekë Berisha (AAK) 26,61%
  6. Klinë- balotazh në mes Zenun Elezaj (AAK) 43,10% dhe Esat Raci (PDK) 27,60%
  7. Fushë Kosovë- balotazh në mes Burim Berisha (LDK) 49,96% dhe Enver Bajçinca (LVV) 25,33 %
  8. Kamenicë- balotazh në mes Qëndron Kastrati (PSD) 32,69% dhe Kadri Rahimaj (LVV) 30,37%
  9. Mitrovicë e Jugut – fitues Bedri Hamza (PDK) 53,86 %
  10. Leposaviq- fitues Zoran Todiq (Lista Serbe) 97,85%
  11. Novobërdë- fitues Sasha Milosheviq (Lista Serbe) 64,09%
  12. Obliqi- balotazh në mes Xhafer Gashi (IQO) 48,25% dhe Halil Thaçi (LVV) 20,00%
  13. Rahovec– balotazh në mes Smajl Latifi (AAK) 47,23% dhe Visar Korenica (LVV) 24,78%
  14. Pejë- fitues Gazmend Muhaxheri (LDK) 60,41%
  15. Prishtinë- balotazh në mes Arben Vitia (LVV) 42,33% dhe Përparim Rama (LDK) 29,35%
  16. Prizren- balotazh në mes Mytaher Haskuka (LVV) 40,43% dhe Shaqir Totaj (PDK) 31,10%
  17. Shtime- balotazh në mes Qemajl Aliu (LVV) 45,10% dhe Naim Ismajli (PDK) 44,64%
  18. Shtërpcë- fitues Dalibor Jevtiq (Lista Serbe) 59,36%
  19. Suharekë- fitues Bali Muharremaj (AAK) 52,28%
  20. Ferizaj- fitues Agim Aliu (PDK) 62,53%
  21. Viti- balotazh në mes Sokol Haliti (LDK) 41,78% dhe Arsim Ademi (LVV) 34,85%
  22. Vushtrri- balotazh në mes Ferit Idrizi (PDK) 34,89% dhe Xhafer Tahiri (LDK) 33,77%
  23. Zubin Potok- fitues Srdjan Vuloviq (Lista Serbe) 83,49%
  24. Zveçan- fitues Dragisha Miloviq (Lista Serbe) 98,45%
  25. Malishevë- balotazh në mes Ekrem Kastrati (NISMA) 34,30% dhe Isni Kilaj (PDK) 29,07%
  26. Junik- balotazh në mes Agron Kuçi (AAK) 47,26% dhe Ruzhdi Shehu (LDK) 37,87%
  27. Mamushë- balotazh në mes Abdulhadi Krasniq (KDTP) 48,72% dhe Arif Bytyq (KATP) 37,64%
  28. Hani i Elezit- fitues Mehmet Ballazhi (PDK) 50,98%
  29. Graçanicë– fituese Ljiljana Subariq (Lista Serbe) 77,71%
  30. Ranillug– fituese Katarina Ristiq-Iliq (Lista Serbe) 100,00%
  31. Partesh- fitues Dragan Petkoviq (Lista Serbe) 75,20%
  32. Kllokot- balotazh në mes Vladan Bogdanoviq (Lista Serbe) 41,45% dhe Strahinja Spasiq (SNS) 34,14%
  33. Mitrovica e veriut- fitues Milan Radojeviq (Lista Serbe) 91,33%
Lexo më shumë:

Të ngjashme