Mesazhi i 85 vjeçares që doli për të votuar në Prishtinë: Kur ke dëshirë, ke edhe forcë

Prishtinë | 14 Nën 2021 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Vështirë e ruante drejtpeshimin. Këmbët mezi e mbanin, kurse i gjithë trupi i dridhej nga mosha.

Pavarësisht barrës së viteve mbi supe, 85 vjeçarja Seniha Spahiu, thoshte se po ndihet mirë.

Ajo sot ka dalur për ta ushtruar të drejtën e saj kushtetuese, për të votuar në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës.

Së bashku me bashkëshortin e saj, që po e mbante për krahu, kishin ardhur me veturë në qendrën e votimit në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë.

E moshuara thotë se nga këto zgjedhje pret më mirë për nipërit, mbesat e stërnipërit e saj, por pse jo edhe për veten e saj.

“Çdo njeri pret diçka më mirë me u bë. E, unë posaçërisht që kam fëmijë e nipa kam edhe stërnip, pres mirë për ta, por edhe për mua, pse jo” , tha Senihaja.

“Nuk kisha probleme ngadalë, ngadalë. Dëshirë kur ke, atëherë ke edhe forcë”, tha ajo.

Përndryshe qytetarët e komunave që janë në balotazh sot po iu drejtohen kutive të votimit, për të kryer obligimin e tyre qytetarë dhe për të vendosur se kush do ta udhëheqë komunën e tyre në katër vitet e ardhshme./Telegrafi/

Të ngjashme