Nis numërimi i votave të diasporës

Prishtinë | 24 Tet 2021 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke vazhduar aktivitetet e parapara me planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, raporton Ekonomia Online.

Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, janë duke vazhduar aktivitetet e parapara me planin operacional të miratuar nga KQZ-ja.

“Janë dy aktivitete të rëndësishme: Numërimi i votave jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës dhe Hetimi i 10% të vendvotimeve të çdo komune, të cilat i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale”, ka thënë Elezi në një konferencë për media.

Sipas Elezit gjatë periudhës së votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime. Pas vlerësimit dhe verifikimit nga shërbimi votues, brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime

“Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga perosna të njëjtë (168)”.

“Pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, në ekran do të shfaqet rezultati i tyre. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hetojë 10% të vendvotimeve të çdo komune dhe që i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale”.

Ai tha se vendvotime që do të hetohen, e që në total janë 255 vendvotime, janë përzgjedhur rastësisht dhe që gjatë pranimit të materialit të tyre nuk është vërejtur ndonjë parregullësi.

“Hetimi i tyre ka për qëllim që të vërtetojë nëse këshilli i vendvotimti ka bartur në mënyrë të saktë rezultatin/votat nga Fleta Llogaritëse e Kandidatëve në Formularin e Rezulatit të Kandidatëve. Fleta Llogaritëse e Kandidatëve, është një fletë pune ku regjistrohen votat e kandidatëve gjatë numërimit, para se ato të barten në Formularin e Rezultatit të Kandidatëve”.

Sipas procedurës, nëse nga hetimi rezulton se ka ndryshime dhe votat nuk janë bartur në mënyrë të saktë, atëherë pas vendimit të KQZ-së do të hapet kutia e votimit për ta saktësuar gjendjen.

Të ngjashme