Paçarizi: Angazhimi i Kurtit në fushatë për Prishtinë është i vonshëm

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka komentuar aktivizimin e kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në përkrahje të kandidatit të kësaj partie për kryeqytetin, Arben Vitia.

Ai tha se aktivizimi i kryeministrit Kurti nuk po ndodhë për herë të parë, pasi që edhe në të kaluarën, sipas tij, partitë tjera janë aktivizuar në këtë mënyrë për të përkrahur kandidatët e tyre, sidomos në balotazh.

“Ne kemi parë përpara edhe aktivitete të ish kryeministrit Thaçi, Haradinaj e Mustafa në kohën e tyre që kanë përkrahur njerëzit e tyre. Prandaj nuk ka asgjë për të çuditur në gjithë këtë aktivizim të VV-së”, është shprehur Paçarizi në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Por, sipas Paçarizit, angazhimi i tanishëm në fushatë i kryeministrit Kurti, është i vonshëm, pasi sipas tij, Kurti në rundin e parë të zgjedhjeve lokale ishte i bindur që qytetarët e votojnë atë dhe njerëzit që ai cakton ai.

“Në disa komuna i ka ofenduar qytetarët duke vënë njerëz të cilët kanë një autoritet gjysmak e disa prej tyre janë quajtur edhe gjysmë-analfabetë dhe qytetarët e Kosovës e kanë ndëshkuar Kurtin për këtë, i kanë treguar që nuk mjafton prania e tij që të votojnë gjithçka që ky vendos”, është shprehur Paçarizi, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Paçarizi komentoi edhe disa deklarata të Kurtit, ku i cilësoi si ofendime për kandidatin e VV-së në Prishtinë, Arben Vitinë.

“Kalibri i Kurtit për ta bërë një deklarim të tillë mendoj se është ofendim për Vitinë. Të thotë që “unë mund t’i përmend 144 përparësi të Vitisë, por ta përmendi faktin se është i afërt me mua”, kjo do të thotë që prapë ai e vë vetën në plan të parë, ashtu sikur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve lokale ku tha se “nuk do të ketë me dekada të tëra një listë ku ishim unë, Osmani e Konjufca”. Këtu ai e tha edhe një të pavërtetë, sepse zyrtarisht ai nuk ka qenë në listë”, tha ai.

Të ngjashme