PDK dhe LDK barazohen me komuna të fituara

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 20:36 | Nga Ekonomia Online

PDK-ja nuk e mban e vetme bajrakun e fitores në zgjedhjet e fundit lokale. Diaspora u tregua vendimtare dhe pos PDK-së, si ftuese të zgjedhjeve e përcaktoi edhe LDK-në. Kjo për shkak se me vota të diasporës, LDK-ja ia mori Dragashin PDK-së, shkruan Express.

Memli Krasniqi në ditën e balotazhit u lajmërua nga Prizreni ku partinë e tij e shpalli fituese ndër partitë shqiptare.

Pas numërimit të votave nga KQZ, PDK-ja fitoi nëntë komuna, por jo për gjatë. Pas një gare të ngushtë në Dragash, PDK-ja fitoi me vetëm 47 vota diferencë ndaj LDK-së.

Ky rezultat u përmbys pas numërimit të votave të diasporës dhe rrjedhimisht LDK-ja doli t’i ketë fituar 8 komuna, po aq sa edhe PDK-ja.

Pas një pauze 4-vjeçare, PDK-ja e riktheu edhe Skenderajn me Fadil Nurën të përkrahur nga Sami Lushtaku. Kjo fitore në Drenicë u finalizua në rundin e parë të zgjedhjeve.

Në total, PDK-ja do të administrojë me tetë komuna: Mitrovicën, Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Drenasin, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit.

LDK-ja në këto zgjedhje krenohet me rikthimin e kryeqytetit pas 8 vjetëve administrim nga Shpend Ahmeti.

Pa balotazh LDK-ja fitoi në Lipjan dhe Pejë, ndërsa sonte pos Prishtinës, mori Junikun, Istogun, Fushë-Kosovën, Vitinë dhe Dragashin, duke rrumbullaksuar tetë komuna.

AAK-ja doli e treta nga partitë shqiptare duke marrë 5 komuna gjithsej. Pa balotazh e fitoi Suharekën dhe Deçanin, ndërsa sonte fitoi në Klinë, Rahovec dhe Gjakovë.

Partia e pushtetit që në zgjedhjet e fundit qendrore doli e para me mbi 50% të votave, arriti të marrë katër komuna në total, në mesin e tyre edhe një qytet të madh.

VV-ja e Kurtit fitoi në Gjilan, Kamenicë, Shtime dhe Podujevë.

Sipas renditjes, PDK-ja mori më së shumti komuna, ndërsa LDK-ja doli e dyta, AAK-ja e treta, ndërsa VV-ja doli e katërta.

Të ngjashme