PDK nuk mbështet asnjë kandidat për kryetar të Pejës – Muhaxheri: Do ta bëjmë qytet funksional 24 orë

Prishtinë | 28 Sht 2021 | 09:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) aktualisht nuk mbështet asnjë kandidat të partive të tjera politike në garën për kryetar të Pejës, thotë për Ekonomia Online, bartësi i listës së PDK-së, Arton Muhaxheri.

Pas incidentit me armë zjarri, ku mbeti i vdekur kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj, Dega e PDK-së në Pejë është vënë në një situatë të pazakontë.

Për arsye morale, ky subjekt ka vendosur të vazhdojë garën pa kandidat për kryetar të Pejës.

Megjithatë, Muhaxheri thotë se me listën e tyre ku janë të përfshirë shumë profesionistë, besojnë se do të arrijnë të marrin rezultat të mirë.

“PDK në Pejë është në një situatë të pazakontë, pas rastit që ka ndodhur për të cilën është i njoftuar opinioni publik. Ne mbetëm pa kandidatin tonë për kryetar dhe si rezultat partia vendosi të mos e kandidojë asnjë kandidat tjetër për kryetar. Ndonëse e kishte mundësinë, por në respekt për veprën dhe njerëzve që e kanë njohur atë nuk e vendosëm kandidatin tonë për kryetar”.

“Por tash jemi duke kandiduar me listë për asamble. Kemi një listë prej 38 anëtarëve. Është një listë që përfshin njerëz profesionistë të lëmive të ndryshme. Me këtë listë ne do të futemi në garë dhe mendojmë që do të dalim shumë mirë në këto zgjedhje. Mendoj që do të arrijmë rezultatin që asnjëherë PDK-ja nuk e ka pasur në Pejë, sa i përket numrit të ulëseve që do t’i marrim në asamblenë komunale”.

“Këtu jemi të fokusuar, këtu po bëhet përpjekja jonë dhe mendoj që do të dalim mirë në këto zgjedhje, PDK-ja si parti nuk ka qëndrim për ta mbështetur asnjë kandidat të partive të tjera politike, PDK-ja i ka organet e saja me të cilat do ta merr vendimin e caktuar në kohën e caktuar dhe deri tash nuk ka vendim për ta mbështetur asnjë kandidat të asnjë subjekti politik. Ne përmes ulëseve që do t’i fitojmë në asamblenë komunale do të bëjmë përpjekje t’i shtymë disa çështje me rëndësi për interes të jetës së qytetarëve të komunës së Pejës”.

Tutje, kandidati për asamble komunale të Pejës, thotë se një nga prioritetet e PDK-së është që ta bëjë Pejë qytet funksional 24 orë.

“Një nga prioritetet tona do të jetë ta bëjmë Pejën qytet funksional, 24 orë, sepse Peja nuk funksionon dhe këtë do ta bëjmë duke i dhënë leje speciale bizneseve për të funksionuar, duke rritur sigurinë publike, duke investuar në rini në sport dhe kulturë, të gjitha këto janë elemente që e bëjnë Pejën qytet funksional për 24 orë”.

Në plan programin e PDK-së është rregullimi i ndarjeve të subvencioneve në bujqësi. Sipas, Muhaxherit ndarja e subvencioneve në komunën e Pejsë nuk është bërë në bazë meritore.

“Do të fokusohemi në bujqësi, sidomos te ndarja e subvencioneve e cila historikisht ka ndodhur gabim dhe padrejtësi në ndarjen tyre, ka pasur bujq të shumtë që janë diskriminuar në ndarjen e subvencioneve, ne do të iniciojmë ta krijojmë një komision i cili kontrollon formën se si ose monitoron formën se si do të ndahen subvencionet”.

Më tej, ai thotë se do t’i lirojnë nga taksat të gjitha gratë që kanë biznese.

“Prioritet tjetër i programit tonë është edhe ekonomia ku do të lirojmë nga taksat të gjitha gratë që kanë biznese , të gjithë të rinjtë që kanë biznese gjithashtu edhe diaspora dhe investitorët nga diaspora kanë vëmendje të veçantë në programin tonë, në nivel të komunës, dhe këto procese mund t’i shtyjmë përpara me asamblistët tanë që mund t’i fitojmë në zgjedhjet e 17 tetorit, ky është fokusi jonë”.

“Fushata jonë është re shtrirë në gjithë komunën e Pejës dhe i dimë saktë problemet që i kanë, ka fshatra pa rrugë të asfaltuara, ka fshatra pa kanalizimi te rregulluara, ka fshatra pa infrastrukturë të nevojshme për ta ushtruar bujqësinë dhe të gjitha ne këto i dimë dhe për këto kemi programin tonë që do t’i shtyjmë përpara”.

Të ngjashme