Rama: Jam i bindur se dashnia që më keni dhënë do të kurorëzohet me fitore më 14 nëntor

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur mirënjohës për secilën votë që ka marrë në zgjedhjet lokale te 17 tetorit.

Rama ka thënë se është i bindur që tërë ky besim që i është dhënë do të kurorëzohet me fitore më 14 nëntor, shkruan Gazeta Reporteri.net.

“Të Dielen kaluam bashkë një proces shembullor. Ndjehem thellësisht mirënjohës për votën e secilit prej jush që më dha mbështetje për të shkuar në raundin e dytë. Jam i bindur se gjithë ky besim dhe dashuni që më keni dhënë këta muaj, do të kurorëzohet me fitore, më 14 Nëntor. Unë besoj se gjërat nuk ndodhin rastësisht. Prandaj, nuk po më duket rastësi pse pikërisht në këtë moment, kaq shumë bashkëqytetarë po besojnë se Prishtinës i duhet përvoja, njohuria dhe gatishmëria ime për t’i bërë realitet planet tona konkrete për një Prishtinë më të dinjitetshme për të gjithë. Prishtinës i duhet me marrë frymë e me u shëru prej kaosit urban. E unë, do t’i përvishem punës me e bë pikërisht këtë”, ka shkruar Rama në Facebook.

Tutje ai ka thënë se javën e ardhshme do t’u tregojë banorëve se sa i rëndësishëm është vizioni i tij për ta transformuar Prishtinën.

“Në javët e ardhshme do të shihemi sërish bashkë për t’u treguar banorëve të Prishtinës se sa i rëndësishëm dhe jetik është për qytetin dhe fshatrat tona vizioni ynë për transformimin rrënjësor të Prishtinës. Këto ditë, do t’ua shtrijmë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës pa dallim, sepse kjo fitore është për të gjithë ju, përtej bindjeve tuaja partiake. Unë ju ftoj që t’i bashkoheni rrugëtimit tonë të fitores”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, Rama dhe kandidati i LVV-së Arben Vitia do të shkojnë në balotazh.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kandidatët që janë në balotazh pritet të mbahet me 14 nëntor.

Të ngjashme