Reagimet e partive pas rezultateve

Prishtinë | 17 Tet 2021 | 20:28 | Nga Ekonomia Online

Pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet lokale në Kosovë, partitë politike kanë mbajtur konferenca për të diskutuar lidhur me rezultatet.

Në vendvotime veçse ka nisur numërimi i votave dhe Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve preliminare në kohë reale.

PDK: Rezultatet e para janë shumë pozitive

Partia Demokratike e Kosovës tha se bazuar në informacionet e para që kanë marrë nga vëzhguesit në terren, rezultatet e para “janë shumë pozitive” për këtë parti, por që ky subjekt pret që të njëjtat të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku në një konferencë për media, falënderoi qytetarët, për siç tha ajo, “kulturën e lartë demokratike e politike duke dalë e duke votuar në mënyrë të civilizuar për të ardhmen katërvjeçare të komunave tona”.

“Tani të gjitha votat e qytetarëve ndodhen në kutitë e votimit dhe ftojmë të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që të numërojnë me saktësi çdo fletëvotim, çdo votë”, tha ajo.

Gashi: Rezultat i kënaqshëm për LDK-në

Shefi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se rezultati i deritanishëm nga zgjedhjet lokale është i kënaqshëm për këtë parti.

Gashi në një konferencë për media tha se LDK ka një rezultat impresiv.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është në balotazh në komunën e Prishtinës dhe në komunën e Podujevës. Rezultati final është në kutitë e votimit. Iu bëj thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve në tërë Kosovën, që ta administrojnë në mënyrë korrekte procesin zgjedhor”, tha Gashi.

Haradinaj: AAK-ja ka shënuar rezultatin më të mirë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka shënuar rezultatin më të mirë.

“Të dhënat tona flasin se kemi fituar në gjashtë komuna: Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Deçan e Junik. Po ashtu shkojmë në balotazh në të paktën një komunë, është Istogu”, tha ai dhe shtoi se kanë vërejtur rritje të votave për partinë e tij edhe në komuna të tjera.

Ai këto zgjedhje i cilësoi si të lira, demokratike dhe të organizuara sipas “standardeve më të larta”.

Sipas të dhënave preliminare të mbi 95 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar është rreth 43 për qind.

Ndërkaq në zgjedhjet komunale të vitit 2017 përqindja ishte 43.5 për qind.

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, pas nisjes së mbylljes së vendvotimeve tha se në zgjedhjet lokale nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të komprometonin integritetin apo kredibilitetit zgjedhor.

Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për media, tha se në zonat rurale ka pasur më shumë shkelje, qoftë të masave kundër koronavirusit, por edhe kanë parë persona që kanë qëndruar pranë qendrave të votimit.

“Në pjesën veriore të vendit, procesi i votimit ka rrjedhur i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të mund ta cenonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Cakolli.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.

Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.

Të ngjashme