Sallahu: Supremja ka argumente të mjaftueshme për certifikimin e kandidatëve të VV-së

Prishtinë | 27 Jan 2021 | 15:34 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Blerim Sallahu, ka shprehur bindjen se pesë kandidatët e saj për deputetë do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit nga Gjykata Supreme, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se Supremja ka argumente të mjaftueshme për të certifikuar kandidatët e tyre.

“Kodi Penal mbi të cilën i janë shqiptuar dënime kandidatëve tanë s’përbën asnjë efekt juridik, dhe ne besojmë që kandidatët tanë do të certifikohen duke ditur edhe profesionalizmin që ekziston në Gjykatën Supreme”, është shprehur ai, pas dorëzimit të vendimit të PZAP-së në Gjykatën Supreme.

Sallahu  i pyetur për veprimet që do t’i ndërmarrin nëse nuk certifikohen kandidatët, ka thënë se nuk beson që një gjë e tillë të ndodh, pasi sipas tij, Supremja do të vendos në favor të tyre.

Por, ai se ka përjashtuar mundësinë e dërgimin të vendimit në Kushtetuese për pezullim.

”Nëse ndodhë e kundërta, jemi në dy rrafshe – në rrafshin politik ku organet e VV-së do të vendosin se çfarë do të bëjmë tutje, dhe patjetër që ne do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e një vendimi të tillë”, tha ai.

Mes pesë kandidatëve nga VV-ja që nuk plotësojë kushtet për certifikim, është edhe lideri Albin Kurti. Të tjerët janë: Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Deni-Murtezi.

Përveç VV-së, ankesë në Supreme ka dorëzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjëve të Kosovës

Gjykata Supreme ka afat 72 orë që t’i përgjigjet ankesave të paraqitura.

Të ngjashme