Sot fillon numërimi i votave të diasporës

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 08:07 | Nga Ekonomia Online

Votat e ardhura nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë do të fillojnë të numërohen sot. Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi për Ekonomia Online.

Sipas shërbimit votues të KQZ-së është bërë vlerësimi i 1 mijë e 571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura me postë. Nga ky proces del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizura me fletëvotime është 2 mijë e 658, prej të cilave janë aprovuar 2 mijë e 379.

“Gjatë ditës së martë, 16 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor. Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako.  Këto fletëvotime u takojnë komunave 19 komunave të ndryshme”, ka thënë Elezi për EO.

Ndërkaq, KQZ-ja akoma nuk ka bërë të ditur se sa është numri i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta në 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi.

Të dielën, më 14 nëntor, u mbajt procesi i votimit në 21 komuna: Gjakovë, Drenas, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot.

Të ngjashme