Totaj viziton klubet futbollistike, zotohet për kthimin e dinjitetit të sportit prizrenas

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, ka vizituar dy klubet futbollistike në këtë qytet, KF “Liria” dhe “KF Prizreni”, raporton Ekonomia Online.

Para futbolistëve, Totaj tha se në programin e tyre qeverisës, njëra ndër shtyllat kryesore është zhvillimi i sportit, kulturës dhe mbështetja ndaj rinisë.

“Në programin tonë qeverisës, njëra ndër shtyllat kryesore është zhvillimi i sportit, kulturës dhe mbështetja ndaj rinisë. Qeverisja aktuale ka degraduar jetën kulturore e sportive në qytetin tonë, në qytetin e kulturës, sportit e muzikës. Ne jemi kopetent, të gatshëm dhe kemi pasionin e dashuri ndaj këtij qyteti, prandaj do të jemi përherë krah për figurat emblematike të qytetit tonë. Sot në vizitën në klubet e futbollit “Liria” dhe “KF Prizreni”, pam nga afër kushtet joadekuate në të cilat ata ushtrojnë dhe biseduam me ta për vështërsitë që kanë pasur gjatë këtyre viteve të fundit”, u shpreh Totaj.

Totaj pas bisedës me futbollistët e këtyre klubeve u shpreh se “Prizreni krenohej dikur me futbollin. Por sot nuk është kështu. Mungesa e vëmendjes së kryetarit në shkuarje ka ndikuar negativisht në ecurinë e futbollit prizrenas, e vecmas klubeve të këtij qyteti, sikurse është ikona e Prizrenit, Liria. I shoqëruar nga kandidatët për Asamble, sot vizitova klubet Liria dhe FC Prizreni për tu njohur nga afër me sfidat e tyre të përditshme dhe planet e ardhshme”.

“Si ish sportist aktiv dhe kryetar i ardhshëm, iu premtova se do të jem afër futbollit prizrenas. Qyteti jonë i ka dhënë shumë sportit kosovar dhe vazhdon të prodhoj talent botërorë prandaj dora e mbështetjes së komunës nuk do të mungoj. Do të sigurojmë kushte më të mira për talentët tanë duke mirëmbajtur stadiumet tone e ofruar mbështetje financiare. Vetëm bashkë mund t’ia rikthejmë krenarinë sportit prizrenas. Bashkë për Prizrenin”, ka thënë Totaj.

Të ngjashme