Verifikimi i pakove me vota nga diaspora do të marrë disa ditë

Prishtinë | 18 Shk 2021 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Shërbimi Votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po vazhdon të bëjë vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, proces ky që do të marrë disa ditë kohë.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili tha se në fund të këtij procesi do të dihet saktë numri i fletëvotimeve që kanë ardhur nga jashtë vendit.

“Në QNR, Shërbimi Votues i KQZ-së po bën vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt”, theksoi Elezi.

Elezi tha se këto pako duhet të verifikohen nëse u takojnë votuesve që janë regjistruar si të suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot plotësojnë kriteret ligjore.

“Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, i cili do të na marrë kohë disa ditë, do të dijmë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit” u shpreh Elezi.

Ndryshe, organizata GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Në njoftimin e bërë nga kjo organizatë thuhet se deri më datën 16 shkurt, KQZ ka verifikuar 1 mijë e 490 fletëvotime, ku 1,110 i ka aprovuar kurse 380 i ka refuzuar, transmeton Telegrafi.

Theksojmë se deri më datën 12 shkurt, KQZ ka pranuar 43,447 pako me fletëvotime nga diaspora.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur ditën e diel, ndërkohë KQZ ka bërë numërimin e votave të rregullt, kurse brenda pak ditësh fillon numërimi i votave nga diaspora dhe atyre me kusht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme