​Goli i fundit i Salas dhe festimi i veçantë i tij

| 08 Shk 2019 | 09:16 | Nga

Pasi u konfirmua se trupi i nxjerrë nga fundi i detit është i Emiliano Salas, në rrjetet sociale ka qarkulluar një video, ku shfaqet goli i fundit i shënuar nga argjentinasi dhe mënyra e veçantë e festimit të golit.

Për herë të fundit, Sala shënoi më 5 dhjetor të vitit të kaluar. Ai e barazoi rezultatin në minutën e 30-të për Nantes, në ndeshjen e Ligue 1 kundër Marseille. Edhe pse fillimisht kishin qenë duke humbur, skuadra e Salas e kishte përmbysur rezultatin dhe kishte fituar me rezultat 3:2, transmeton Gazeta Express.

“Goli i fundit i Emiliano Salas, duke festuar me bashkëlojtarët dhe tifozët në tribunë. Çfarë heroi! U prefsh në paqe Emiliano”, shkruan një tifoz i futbollit, duke e përcjellë këtë mesazh me videon e golit të Salas.

Embedded video

Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.

Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.

Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe dje u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City, Emiliano Sala. Pas këtij lajmi, rrjetet sociale janë vërshuar nga mesazhe pikëllimi dhe ngushëllimi.

Të ngjashme