Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti përmes një postimi në facebook i ka reaguar presidentes së vendit, Vjosa Osmani lidhur me atë se me pranimin e moratoriumit në Washington është cenuar rendin kushtetues të Kosovës.
Hoti thotë se vetëm politikanë të llojit të caktuar e me orientime joperëndimore mund të mendojnë dhe thonë diçka të tillë.
“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?! Vetëm politikanë të llojit të caktuar, me orientime joperëndimore, mund të mendojnë dhe thonë gjëra të tilla”, ka shkruar Hoti.
Ai madje ka shtuar se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh, ShBA-në.
“E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në. Një politikan i përgjegjshëm dhe properëndimor, që e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe të integruar në BE dhe NATO dhe jo ndryshe, punon me maturi dhe i ruan miqësitë. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe na ruajtë nga politikanët e papërgjegjshëm”, shkroi Hoti.
Presidentja Osmani ka thënë se pranimi i moratoriumit në Washington, ku Kosova ishte pajtuar që për një vit të mos lobojë për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare ka cenuar rendin kushtetues të vendit.
“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na ofrojnë në rrugëtimin tonë të drejtë të qenurit anëtarë me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues.Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar edhe moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme. Tani, këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa reshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë”, nënvizoi presidentja Osmani në fjalimin e saj.