​Ish-zëdhënësi i NATO-s: Vuçiq duhet të zgjedh mes dy karrigeve, Perëndimit apo Rusisë

Prishtinë | 09 Maj 2022 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëdhënësi i Aleancës Veri-Atlantike, gjatë bombardimit të ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea ka thënë se agresioni ushtarak i Vladimir Putinit në Ukrainë i ka ndryshuar gjërat.

Shea gjatë një interviste për mediet kroate ka theksuar se, presidenti i Serbisë, Aleksadër Vuçiq duhet të zgjedh mes dy karrigeve, duke aluduar në mes Perëndimit dhe Rusisë.

“Serbia ka lidhje të forta ekonomike me Bashkimin Evropian, ndërsa Rusia ka një histori të gjatë të bazuar në idenë e pansllavizmit. Pushtimi i Putinit në Ukrainë i ka ndryshuar gjërat. Vuçiq duhet të kuptojë se Perëndimi dhe Rusia do të bëhen gjithnjë e më të largëta për shkak të luftës në Ukrainë dhe se nuk do të jetë më e mundur të ulesh në dy karrige”, ka theksuar Shea.

Sipas tij, i takon Vuçiqit që të vendos për rrugën evropiane të Serbisë.

“Vuçiq thuhet se tha se do ta bënte këtë në gjashtë javët e ardhshme. I takon atij të vendosë. Mendoj se Serbia duhet të vendosë për BE-në, e cila i ofron një të ardhme më të mirë ekonomike dhe zhvillim demokratik”, ka përfunduar ai.

Ditë më parë, gjithashtu deputeti i Bundestagut, Josip Juratoviq, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ballkanin Perëndimor ka thënë se Serbia nuk mund të ulet më në dy karrige.

Juratoviq pati thënë se Rusia po e shfrytëzon në favor të saj pasigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Unë mendoj se Serbia më në fund duhet të vendosë në cilën anë është. Serbia nuk mund të ulet më në dy karrige. Në fund të fundit, nuk është vetëm në interesin e Gjermanisë, mendoj se vetë Putini funksionon në atë mënyrë dhe mendoj se ai mund të citoj Churchillin, i cili dikur tha – ‘nuk është problem të jesh neutral, është e rëndësishme që të jesh neutral në anën e duhur’”, pati thënë Juratoviq.

Të ngjashme