Ish-mesfushori legjendar i Manchester Unitedit, Paul Scholes, ka insistuar se trajneri Jose Mourinho e shkarkoi qëllimisht veten nga klubi, pasi që nuk dëshironte ta drejtonte atë klub më.
Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit më 18 dhjetor të vitit të kaluar, pasi që e kishte startuar sezonin në mënyrë aspak të mirë. Si dëmshpërblim për shkarkimin, Manchester Unitedit ia pagoi 16 milionë euro portugezit, transmeton Gazeta Express.
Scholes kishte qenë kritikuesi më i madh i Mourinhos gjatë periudhës dyvjeçare e gjysmë sa kishte qenë portugezi trajner i Manchester Unitedit. Ata të dy kishin shkëmbyer shpeshherë ofendime gjatë kësaj kohe.
Mendimi i Scholesit për Mourinhon nuk ka ndryshuar as tani që portugezi është larguar nga “Djajtë e kuq”.
“Mendoj se ai [Mourinho] nuk dëshironte të jetë më këtu. Ai e orkestroi largimin e tij në mënyrë të përsosur. Deklaratat e tij në konferencat për shtyp ishin të turpshme, tejet negative. Ishte e qartë në fund se as lojtarët nuk donin të luajnë më për të”, ka thënë Scholes.
“Gjëja e duhur ndodhi në fund. Ai i prishi marrëdhëniet edhe me Antonio Valencian, i cili është njeriu më i mirë në botë. Është e pamundur të zihesh me të. Kjo ishte shenja e madhe për mua që diçka nuk ishte në rregull”.
“Unë gjithmonë e kam thënë vetëm mendimin tim të sinqertë kur më parashtroheshin pyetje për të. Unë komentoja në bazë të asaj që shihja nga trajneri. Ai filloi të ankohet qysh para se të fillonte sezoni, duke thënë se fëmijët nuk mjaftonin. Kjo nuk më pëlqeu asnjëherë”.