Mali i Zi ka vendosur sot të rishikojë listën e vendeve që do të lejohen të hyjnë në territorin e tij në kuadër të luftës kundër pandemisë së COVID-19.
Nisur nga numri në rritje i shtetasve të infektuar aktiv, autoritetet malazeze kanë vendosur të mbyllin kufijtë tokesorë me Shqipërinë dhe të lejojnë hyrjen tranzit në territorin malazez vetëm për shtetasit që prezantojnë në kufi dokumentin e testimit negativ ndaj COVID-19, të bërë brenda 48 orëve.
Nga ky kufizim përjashtohen udhëtarët që kanë një funksion/nevojë thelbësore, si:
– profesionistët shëndetësorë, kërkuesit mjekësorë;
– personeli i angazhuar me transportin e mallrave dhe çdo personel tjetër transporti;
– diplomatët, stafi i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjës të ndihmës humanitare gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre;
– Kategori të veçanta pasagjerësh në tranzit;
– Personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në Malin e Zi, ose për arsye të tjera humanitare.
Ky regjim fillon prej mesnatës të së dielës, datë 21 qershor 2020, dhe është i vlefshëm deri në një vendim të dytë të Njësisë Operacionale të Krizës në Podgoricë.