Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përkujtuar Xheladin Gashin-komandant Plaku në 17-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
“Në ditën e parë të pranverës, 17 vjet më parë, Kosova humbi një prej figurave më të shquara dhe të dashura të saj. Xheladin Gashi, i njohur si Plaku, ishte dhe mbetet i pazëvendësueshëm në grupin e veprimtarëve dhe luftëtarëve që Kosovës ia sollën lirinë. Urtësia e Plakut dhe vendosmëria e tij për një shtet të lirë e demokratik, do të jetë udhërrëfim për gjeneratën tonë përjetësisht. I paharruar mbetet kujtimi për të”, thuhet në një postim të PDK-së në Facebook.
Komandant Xheladin Gashi-Plaku ishte njëri nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm që nga themelimi i UÇK-së.