Ministria e Shëndetësisë në Afganistan ka vlerësuar se rreth një e treta e popullsisë ose 10 milionë persona janë infektuar me koronavirus.
Ministri i Shëndetësisë, Ahmad Jawad Osmani, tha sot se rezultatet janë bazuar në testet e kryera për antitrupa në 9.500 njerëz në gjithë shtetin, me mbështetje teknike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Hulumtimi ka treguar se rreth 31.5 për qind e popullatës prej 32 milionë personave ka qenë në kontakt me virusin, derisa shkalla më e madhe është regjistruar në kryeqytetin afgan, Kabul.
Afganistani, që ka infrastrukturë të dobët shëndetësore dhe është dëmtuar nga disa dekada luftë, aktualisht po përballet me kapacitete të kufizuara të testimit.
Zyrtarisht, ky shtet ka vetëm 36.829 raste pozitive dhe 1.294 vdekje, ndonëse shifrat e vërteta besohet se janë shumë më të mëdha.
“Një valë e dytë e infektimit është duke ndodhur çdo kund në botë dhe ne nuk mund të jemi përjashtim. Ne do të shfrytëzojmë këto të dhëna për të përgatitur veten më mirë për valën e dytë potenciale”, ka thënë Osmani.
Deri më tani, më shumë se 18 milionë persona janë infektuar në gjithë botën me koronavirusin e ri. / Tch