Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) e dënojnë gjuhën dhe qasjen seksiste ndaj deputeteve gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës.
RrGK dhe QKSGj konsiderojnë të papranueshme vazhdimin e praktikës së ofendimit mbi baza gjinore të politikaneve nga politikanët burra.
“Qasja seksiste e manifestuar me gjuhë vulgare nga politikanët burra ndaj politikaneve gra, për RrGK dhe QKSGj, e shpërfaq mendësinë diskriminuese dhe rrezikon mirëmbajtjen dhe riprodhimin e raporteve të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave. Gjë që rrezikon minimin e rolit të grave në politikë”, thuhet në reagim.
Më tej në njoftim thuhet se gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste dënohet ashpër nga organizatat e grave.
“Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës, andaj kërkojmë përgjegjësi individuale të deputetëve si dhe përgjegjësi kolektive të partive politike për qëndrimet e dhëna”, përfundon reagimi i Rrjetit të Grave të Kosovës dhe Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.