Ministria e Shëndetësisë dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë do të bëjnë sot lansimin e projektit “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor”, projekt ky i cili kap shifrën prej 7 milionë franga për gjatë viteve 2016 – 2019.
Ky projekt është dizajnuar për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë, duke plotësuar programet tjera të mbështetura nga donatorët në sektorin e shëndetësisë.
Projekti KSHQC, sipas një komunikate për media të Zyrës Zvicerane per Bashkëpunim në Kosovë, ka për qëllim përmirësimin e shëndetit të popullsisë së Kosovës përmes fuqizimit të kapaciteteve të ofruesve dhe menaxhuesve të kujdesit shëndetësor, ku në këtë mënyrë ata do të jenë në gjendje t’i plotësojnë nevojat e pacientëve të tyre, duke u fokusuar veçanërisht në plotësimin e nevojave të grupeve të cenueshme.
Projekti do të fokusohet në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) dhe operon në trekëndëshin e: përmirësimit të cilësisë së ofrimit të shërbimeve, duke reduktuar pengesat në qasje dhe duke i bërë shërbimet më të përgjegjshme ndaj nevojave të pacientëve – komponenti i ofruesit; fuqizimit të integrimit të shërbimeve në nivel komunal nëpërmjet menaxhimit të përmirësuar, bashkëpunimit më të fuqishëm ndër-sektorial, efikasitetit të rritur dhe qasjes më të madhe në shërbimet e shëndetësisë – komponenti i menaxhmentit; promovimin e një roli aktiv të pacientit, duke ndikuar në sjelljen për kujdes të shtuar shëndetësor dhe promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës në nivele të popullsisë – komponenti i popullsisë.