1.5 tonë drogë fshiheshin mes thasëve të orizit, policia zbulon ngarkesën rekord në Hamburg

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Një operacion i përbashkët i policisë dhe doganës në portin e Hamburgut ka çuar në sekuestrimin e rreth 1.5 tonë metamfetaminë, në një prej goditjeve më të mëdha ndaj trafikut të kësaj droge në portin gjerman.

Droga ishte fshehur në një kontejner që, sipas dokumenteve të transportit, duhej të përmbante mijëra thasë me oriz të bardhë nga Pakistani.

Hetuesit kishin vënë nën vëzhgim disa kontejnerë të ardhur nga Pakistani. Gjatë një kontrolli me rreze X, njëri prej tyre ngriti dyshime dhe u vendos që ngarkesa të kontrollohej tërësisht.

Në qindra thasë që paraqiteshin si thasë orizi u gjet një substancë kristalore, e cila në pamje të parë mund të ngatërrohej me oriz, shkruajnë mediat gjermane.

Testet e para dhe analizat toksikologjike konfirmuan se bëhej fjalë për metamfetaminë, e njohur si Crystal Meth.

Vlera e drogës së sekuestruar vlerësohet në rreth 28.5 milionë euro.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas këtij importi apo ku ishte destinacioni përfundimtar i drogës. Prokuroria ka deklaruar se aktualisht nuk ka të dhëna se droga ishte destinuar për tregun e Hamburgut.

Zbulimi u realizua nga grupi i përbashkët hetimor kundër narkotikëve i Zyrës së Policisë Kriminale të Landit dhe Zyrës së Hetimeve Doganore.

Të ngjashme