1 hap në dialog, 1 hap për liberalizim vizash

Prishtinë | 10 Mar 2023 | 12:00 | Nga Agron Hoti

Edhe fëmijët e dinë që Kosova në vitin 1999 ishte bërë shkrumb e hi nga Serbia gjenocidale. Më shumë se Kosovës askujt në Evropë nuk i është dashur heqja e vizave edhe atë menjëherë që në vitin 1999, sepse një vend i bërë shkrumb e hi sikurse ishte Kosova – e administruar nga OKB dhe i ruajtur nga NATO – ka pasur nevojë brutale më shumë se çdokush tjetër të lëvizte e lirë për t’i dhënë kështu shtysë zhvillimit të vendit tërësisht të shkatërruar.

Por, pavarësisht tmerrit që i kishte ndodhur Kosovës, BE bëri atë që s’e priste askush, atë që do të mbahet mend si Absurdi Evropian i shekullit 21, sepse në vend të hapjes e izoloi Kosovën si askë deri me sot, ndërsa i hapi të gjitha rrugët Serbisë. Në vend që Kosova, si një fëmijë i sapolindur (edhe atë vetëm falë Amerikanëve) të kishte pasur sa më pak kritere për shkak të tmerrit që e kishte përjetuar nga mizoritë e gjenocidi serb, BE bëri të kundërtën, ia dyfishoi kriteret një vendi që mezi po bëhej edhe atë për herë të parë në historinë e Evropës.

Imagjinoni Serbia gjenocidale kishte njëfish më pak kritere për heqje vizash sesa Kosova e gjenociduar nga Serbia. Fëmijët e sapolindur e derisa të rriten duhet ndihmuar e asesi izoluar siç vazhdon të ngelet Kosova në shekullin 21 në zemër të Evropës.

Ajo që është më e keqja është se BE liberalizimin e vizave dhe çdo zhvillim tjetër – edhe pse s’e thotë hapur – e ka lidhur me Dialogun me Serbi. A e keni parë se me çfarë simetrie ecën procesi i liberalizimit të vizave: sapo Kosova bën një hap në Dialogun me Serbi, menjëherë BE e kalon një hap pothuaj ekuivalent për viza. Sapo bllokohet dialogu, menjëherë ndalen edhe vizat.

Dje u kalua leximi i parë në Këshill të BE-së, për t’u vazhduar më pastaj me leximin e dytë, i cili në bazë të përvojës së gjertanishme nuk bëhet pa e nënshkruar dhe zbatuar Kosova marrëveshjen me Serbi. Askush nuk e thotë këtë publikisht, por të gjitha lëvizjet simetrike të BE-së e konfirmojnë një gjë të tillë.

Absurdi Evropian i shekullit 21 rritet edhe më shumë kur BE vendoste fabrikat e saj dhe investonte në vendet më të superkorruptuara dhe më jodemokratike në glob siç vazhdojnë të jenë Kina, Rusia, Brazili, Meksika, India, Indonezia, Vendet Arabe, Pakistani, Turqia, ndërsa Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor vazhdon t’i thotë luftoni korrupsionin. Pra, atje ku ka mega-tregje s’kërkon asnjë kriter, kurse në Kosovë që ka madhësi tregu të papërfillshme kërkon kritere, të cilat ç’është e vërteta as vetë BE s’i plotëson e as që i ka plotësuar ndonjëherë.

Absurdi Evropian i shekullit 21 rritet edhe më shumë kur Kosovës i japin vizat për t’ia marrë rininë e bukur me kontrata për të paguar kontribute sociale nëpër vende të BE-së në plakje e sipër dhe në rënie demografike brutale, ndërsa të njëjtëve qytetarë nuk ua heq vizat për të lëvizur lirshëm si çdokush tjetër në Evropë. Nëse Kosova paska pasur politikanë të korruptuar siç vazhdon të ketë edhe sot, pse atëherë BE s’i fuste që të gjithë në lista të zeza siç bën SHBA dhe t’ua hiqte vizat qytetarëve të Kosovës? Kur i kërkon dikujt kritere, atëherë duhet kërkuar të gjithëve. Standardet e dyfishta nuk i bëjnë mirë demokracisë dhe zhvillimit ekonomik në Evropë.



    


     

    

    

Të ngjashme