Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngritur shqetësimin për gjendjen e vështirë të gazetarëve dhe punonjësve medialë në vend, duke theksuar se të drejtat themelore të punës nuk po respektohen në mënyrë të barabartë për këtë sektor.
Sipas AGK-së, një numër i madh gazetarësh në Kosovë vazhdojnë të punojnë në kushte të pasigurta, me paga minimale, pa sigurime shëndetësore dhe pa kontrata stabile. Ata shpesh përballen me orar të zgjatur pune, punë gjatë ditëve të pushimit dhe festave, pa kompensim adekuat dhe pa mbrojtje të mjaftueshme ligjore.
Organizata vlerëson se shkeljet e të drejtave të punës, përfshirë vonesat në paga, mungesën e pushimeve dhe pasigurinë profesionale, mbeten të përhapura në sektorin medial. Për shkak të natyrës së profesionit, Ligji i Punës, sipas tyre, nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për gazetarët.
“Në këtë 1 Maj, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, rikujton se të drejtat e punëtorëve janë standard themelor që duhet të vlejnë njëjtë edhe për gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë. Shumë gazetarë në Kosovë vazhdojnë të punojnë me paga minimale, pa sigurime shëndetësore, pa kontrata stabile dhe pa kushte të dinjitetshme në punë. Gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë, të cilët përballen me terrenin dhe vështirësitë në të, kryejnë detyrat e tyre të pambrojtur dhe të pasigurt. Për shkak të natyrës së profesionit, Ligji i Punës shpesh nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për gazetarët, të cilët punojnë orë të gjata, në ditë pushimi dhe në ditë festash, pa kompensim adekuat dhe pa respektim të të drejtave bazike të punës. Shkeljet e të drejtave të punës, përfshirë vonesat në paga, mungesën e pushimeve dhe pasigurinë profesionale, vazhdojnë të jenë të pranishme në sektorin medial”, thuhej në postimin e tyre.
AGK-ja thekson se situata është edhe më sfiduese për gratë gazetare, të cilat shpesh përballen me vështirësi në realizimin e të drejtave të tyre ligjore, si pushimi i lehonisë dhe e drejta për gjidhënie. Në praktikë, këto të drejta nuk respektohen gjithmonë, duke i vendosur ato përballë zgjedhjeve të vështira mes profesionit dhe mirëqenies familjare.
Një tjetër problem i theksuar është mungesa e një sindikate gjithëpërfshirëse që do të përfaqësonte punonjësit medialë dhe do të mbronte të drejtat e tyre. Sipas AGK-së, mungesa e një organizimi të tillë i lë gazetarët të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe me mundësi të kufizuara për mbrojtje.
Në këtë kontekst, AGK i ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës dhe institucioneve përgjegjëse që të rrisin mbikëqyrjen dhe të ndërmarrin veprime konkrete për adresimin e shkeljeve në sektorin medial. Po ashtu, u kërkon pronarëve të mediave të respektojnë legjislacionin dhe të sigurojnë kushte dinjitoze pune për stafin.
Në përfundim, AGK inkurajon gazetarët, kameramanët dhe fotografët që të informohen për të drejtat e tyre, të mos i pranojnë abuzimet si normale dhe të kërkojnë mbrojtje kur këto të drejta shkelen, duke theksuar se siguria dhe dinjiteti në punë janë thelbësore për një gazetari të lirë dhe të pavarur.