Për disa ditë sa kanë qëndruar në Kosovë, “Fc Kosova Düsseldorf”, nuk është pritur nga asnjë institucion në Kosovë. Pritje nuk pati as nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse në kohë të vështira ky klub iu gjend afër Reprezentacionit të atëhershëm të Kosovës, e cila i zhvillonte ndeshjet në Kosovë, këtë nuk e bëri askush për ta. Ndihmë të vetme ia dha Federata e Futbollit të Kosovës (KOK).
Kryetari i klubit FC Kosova Düsseldorf, Bujar Neziri, në një bisedë me Ekonomia Online, ka kritikuar institucionet kosovare për mungesë të përkrahjes materiale.
“Unë jam që 10 ditë në Kosovë, dhe është për keqardhje kjo pritja e institucioneve tona, sepse këta gjithmonë e kanë në gojë diasporën dhe e kemi për obligim ta ndihmojmë Kosovën, por nuk është në rregull që të pritet gjithmonë dhe të flasësh fjalë të mëdha, e në fund mos të bësh asgjë. Kjo më të vërtetë është për keqardhje”, u shpreh ai.
“Këtë radhë FFK-ja na ka ndihmuar me aq mundësi sa ka mundur dhe ka treguar së paku një respekt ndaj nesh si ekip, ndërsa institucionet tjera asgjë janë interesuar. Në vitin 1997, ne e kemi organizuar Superkupën e Kosovës, e cila është organizuar nga unë personalisht, ku të gjitha shpenzimet e atëhershme i kemi paguar ne, kurse në dhjetor të po atij viti e kemi ftuar Reprezentacionin e Kosovës, ku edhe atëherë janë paguar të gjitha shpenzimet. E kemi kuptuar se Kosova atë kohë ka qenë e okupuar dhe e kemi bërë më shumë dëshirë që Kosova të dalë në arenën ndërkombëtare. Tash lind pyetja përse institucionet tona nuk po e bëjnë të njëjtën, është për të ardhur keq”, tha ai.
Neziri ka thënë se udhëtimi i tyre nga Gjermania ka shumë shpenzime, teksa thotë se një ndihmë simbolike do të ishte e mirëseardhur. Fjalë të mëdha ka për ekipet në Superligën e Kosovës.
“Cilësia e ekipit për ligën ku garojmë ne, është ndër ekipet më të mira dhe për atë jemi në vendin e dytë, shpresojmë që të inkuadrohemi në një ligë më lartë, kemi lojtarë shumë cilësor, krahasim me ekipet tjera që garojnë në atë ligë, ne jemi më organizuar dhe kemi lojtarë shumë cilësor”,
Kritika pati për trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, i cili ka deklaruar se ekipi i tij e ka kursyer në ndeshje “FC Kosovën”.
“Ne nuk mund ta krahasojmë ekipin tonë me ekipet e Superligës, dhe e dimë se ekipi kundërshtar ka qenë më i mirë dhe e kemi bërë lojën tona dhe çfarë nuk na pëlqeu ishte deklarata e trajnerit Tahir Batatinas, i cili u mundua të na nënçmojë por kjo është shumë e dëmshme dhe njerëzit që e kanë parë këtë ndeshje e dinë që nuk është e vërtetë por shpresoj që kjo të jetë një shaka e tij, siç din t’i bëjë Batatina”, u shpreh ai.