10 mijë funta gjobë për këdo që e thyen karantinën në Britani

Prishtinë | 20 Sht 2020 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Në përballje me valën e dytë të Covid-19, qeveria e Boris Johnson në Britani ashpërson masat. Ata që thyejnë karantinën e imponuar pas kthimit nga jashtë, pas tamponit pozitiv apo edhe thjesht kontaktit me një të infektuar, do të dënohen ashpër. Gjoba mund të arrijë deri në 10 000 paund, rreth 11,000 euro.

Masat e reja, të cilat janë në faqet e para të mediave britanike, vijnë në një kohë pasigurie dhe krize në menaxhimin e virusit. Ndër masat që mund të miratohen me kalimin e ditëve, sipas shtypit britanik, janë mbyllja e pabeve dhe restoranteve, mbyllja pas orës 22:00, si dhe ndalimi i shoqërimit me familje të ndryshme. Këshilltarët shkencorë i kanë kërkuar kryeministrit britanik rikthimin e izolimit total për dy javë, me qëllim ndërprerjen e ciklit të transmetimit dhe shmangien e shifrave të infeksionit që ishin në pranverë.

Megjithatë, ajo që e shqetëson më shumë Johnsonin dhe kancelarin e Thesarit, Rishi Sunak, është ndikimi në ekonomi që do të kishte një mbyllje e dytë kombëtare. Sektori i hotelerisë, për shembull, është në prag të krizës. Rreth një milion vende pune, sipas Sunday Times, janë në rrezik dhe ky nuk është i vetmi sektor që ka pësuar goditjen e Covid.

Nëse rastet po rriten –  të shtunën numëroheshin 4 422 të reja – testet janë të pakta. Shumë organizata – nga forcat e armatosura, te shkollat, nga shërbimet e urgjencës te kujdesi shëndetësor – luftojnë për të vepruar me një ritëm normal sepse ata nuk mund t’u bëhen tamponët të gjithë punonjësve. Në pasiguri, shumë njerëz janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, megjithatë virusi po përparon. Prandaj, vendimi për të rritur gjobat për ata që shkelin rregullat, ndërsa për ata që janë nën pagën minimale ose marrin subvencione shtetërore – rreth katër milion qytetarë – do të ketë një stimul prej 500 paund për të qëndruar në shtëpi. Gjobat do të fillojnë nga 1 000 paund për shkeljen e parë dhe do të rriten në rastin e shkeljeve të reja.

Të ngjashme