Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, ka njoftuar se 10 mijë vajza janë vaksinuar kundër HPV (Human Papilloma Virusi), vaksinë e cila mbron kundër disa llojeve të kancerit, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se vaksinimi për vajzat ka filluar vitin e kaluar, ndërsa vaksinimi i djemve do të nisë së shpejti.
“Sot është një ditë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve dhe për politikat shëndetësore. Ky është një hap thelbësor për parandalimin e sëmundjeve serioze. Ky virus shkakton shumë probleme dhe lloje të ndryshme kanceri. Vitin e kaluar, miratuam përfshirjen e tri vaksinave të reja në kalendarin e vaksinimit të fëmijëve. Nuk është një mundësi vetëm për vajzat, por edhe për djemtë, për të parandaluar shumë sëmundje serioze. HPV është një virus shumë i rrezikshëm dhe vaksinimi i djemve është një hap i rëndësishëm,” tha Vitia.
Vitia shtoi se vaksinimi është i domosdoshëm pa marrë parasysh gjininë.
“Derimë tani janë vaksinuar 10 mijë vajza nga grupi i synuar. Vaksinimi i të rinjve, pa marrë parasysh gjininë, është i domosdoshëm,” tha ai.
Ardita Baraku, drejtoreshë e IKSHPK-së, tha se ky vaksinim është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen nga kanceri dhe sëmundje të tjera për të dyja gjinitë.
“Është një mjet efikas për mbrojtjen nga kanceri dhe sëmundje të tjera për të dyja gjinitë. Është e rëndësishme që ky trend pozitiv i imunizimit të vazhdojë, dhe të kemi fëmijët të mbrojtur për një të ardhme të shëndetshme,” tha ajo.
Shefja e njësisë së vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Fetije Fetaj, tha se deri tani, nga 10 mijë dozat e dhëna, nuk ka pasur asnjë efekt anësor.
“Prej 10 mijë vajzave të vaksinuara, 84% janë vaksinuar kundër HPV. Të gjithë djemtë dhe vajzat e klasave të gjashta do të vaksinohen. Vaksina është e sigurt dhe efektive dhe do të ofrohet pa pagesë. Deri tani janë dhënë 10 mijë doza në Kosovë dhe nuk ka pasur asnjë efekt anësor serioz,” tha Fetaj.