Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ekrem Krraba, duke e dënuar me dënim unik prej 10 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Kanosja” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Aktgjykimi ndaj të akuzuari Krraba u shpall të premten nga gjykatësi Habib Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, Krraba u dënua me 6 muaj burgim. Për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” me 6 muaj burgim e 5 mijë euro gjobë.
Kurse, për “Kanosje”, i akuzuari u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqim të akuzuarit u zëvendësua me gjobë në shumën 5 mijë euro.
Ndaj Krrabës, gjykatësi Zeqiri shqiptoi dënim unik, ashtu që për “Lëndim të lehtë trupor” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” u dënua me 10 muaj burgim.
Kurse, për “Kanosje” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” shpalli dënim unik prej 10 mijë euro gjobë.
Dënimin me gjobë, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 60 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të dëmtuarit R.B., dhe B.I., për realizimin e kërkesës pasurore-juridike janë udhëzuar në kontest civil.
I akuzuari Krraba, në seancën e 18 tetorit 2024, pas ndryshimit dhe zgjerimit të aktakuzës nga ana e prokurorit Valdet Avdiu, kishte pranuar fajësinë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Kanosja”.
Sipas aktakuzës së ndryshuar në seancën e datës 18 tetor 2024, thuhet se më 25 korrik 2020, rreth orës 15:26 minuta në fshatin Kaçanik i Vjetër, Komuna e Kaçanikut, në parkingun e kafenesë “Te Pika”, me dashje pas një mosmarrëveshje të mëhershme në lidhje me pronën, duke përdorur armë, i akuzuari Ekrem Krraba kishte goditur me pjesën e kondakut në kokë të dëmtuarin R.B., si rezultat i së cilës arma edhe ka shkrepur dhe për pasojë të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Me këtë veprim, i pandehuri Krraba ngarkohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, par.2 lidhur me par.1, nënpar.1.4 të Kodit Penal.
Në dispozitivin II të aktakuzës, thuhet se me datë, kohë dhe vend si në pikën I të këtij dispozitivi, i pandehuri kishte përdorur armën në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese, ashtu që derisa të dëmtuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, i njëjti ka shtënë në drejtimin e tyre por në ajër.
Me këtë veprim, i njëjti akuzohej se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës po mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par.2 të Kodit Penal.
Kurse, dispozitivi i pikës II të aktakuzës bazë, që ka të bëjë me veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.4 të KPRK-së, kishte mbetur e pandryshuar.
Ndryshe, sipas aktakuzës fillestare, më 23 korrik 2020, rreth orës 15:40, në fshatin Kaçanik i Vjetër, Komuna e Kaçanikut, përkatësisht në parkingun e kafenesë“Te pika”, i pandehuri Ekrem Krraba me dashje kishte tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin R.B., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një pronë, me t’u takuar me të njëjtin, kishte nxjerrë nga brezi revolen duke ia drejtuar të dëmtuarit, por që në atë moment ndërhynë vëllai i të dëmtuarit B., i cili ia kishte shtyrë dorën në të cilën kishte armën i pandehuri dhe me atë rast i njëjti kishte shtënë me armë njëherë duke e goditur të dëmtuarin R., në anën e majtë të kokës, ndërsa menjëherë pas kësaj gjuajtje i dëmtuari së bashku me vëllain e tij, me vrap ishin larguar nga aty në drejtime të kundërta.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri e kishte ndjekur përsëri nga pas të dëmtuarin R., në drejtim të të cilit shtie me armë pesë herë dhe meqë nuk arrin ta godas, shkon në objektin e tij dhe nga kati i dytë, përkatësisht nga dritarja, me pushkë të gjatë me dylbi, shtie edhe tri herë të tjera në drejtim të të dëmtuarit. Me këtë rast, i dëmtuari R.B., pëson lëndime të lehta trupore në kokë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Për këtë, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, i pandehuri me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit dhe me përdorimin e armës, kishte kanosur të dëmtuarin B.I., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një pronë dhe gjatë përleshjes në mes të pandehurit dhe të dëmtuarve R., dhe B., e kishte kanosur të dëmtuarin B., duke ia drejtuar armën dhe duke iu drejtuar me fjalë “largohu se nuk bën ndryshe”, me ç’rast kjo kanosje kishte shkaktuar shqetësim tek i dëmtuari.
I akuzuari Krraba, me këtë ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 4 të Kodit Penal.