10 të akuzuar për organizim të bixhozit në Deçan

Prishtinë | 10 Dhj 2025 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave për organizim të bixhozit, si dhe ndaj një personi për armëmbajtje pa leje. 

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri A.O, më 17 gusht rreth orës 02:00, në lokalin e tij “Te Katamt” në Isniq të Deçanit, me dashje e me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, në lokalin e tij të lartcekur, organizon veprimtari të skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, të llojit të lojërave të fatit.

Prokurori i shtetit ka akuzuar edhe 9 të pandehur tjerë, ku të përfshirë ishin edhe G.N, A.Sh., F.H., H.R., M.K., P.A., E.B., A.J. dhe R.B., të cilët natën kritike, në lokalin e lartë cekur, me dashje e në bashkëkryerje, me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, “marrin pjesë në organizimin e veprimtarisë së bixhozit të paligjshëm, hasin të pandehurit e sipërshënuar duke luajtur bixhoz në një dhomë të veçantë brenda lokalit e dedikuar për lojëra bixhozi, ku disa nga ta tentojnë të ikin nga një derë alternative e cila ndodhej brenda asaj dhome, mirëpo të njëjtit arrestohen, ndërsa në tavolinën në të cilën po luanin policia hasin letra të bixhozit si dhe shuma te të konsiderueshme te të hollave”, thuhet në aktakuzë.

Shuma totale e sekuestruar nga Policia ishte 17 mijë e 578 euro.

Ndërsa i pandehuri F.M akuzohet se natën kritike ka poseduar armë për çka ngarkohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të ngjashme