Një trup gjykues i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit R.M, i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje”, e ricilësuar nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Ferizaj në vepër penale “lëndim i rëndë trupor, me pasoja të vdekjes”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi Gjykues, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave dhe fjalëve përfundimtare, të pandehurin R.M., e shpalli fajtor për vepër penale “lëndim i rëndë trupor me pasoja të vdekjes” nga nenin 189, paragrafi 4, i KPRK-së, dhe gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh.
R. M. akuzohej se në muajin gusht 2016, në fshatin Koshare të komunës së Ferizajt, ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, tashmë të ndjerit R. C. “Tashmë i ndjeri kishte shkuar në një autoservis, për të kërkuar një ulëse për veturën e tij. Pronari i autoservisit e kishte udhëzuar që të shkojë tek një autoservis, që gjendet anën e kundërt të rrugës. Ai kishte shkuar, mirëpo derisa po kthehej tek vetura e tij, i pandehuri së bashku me punëtorët e tij, i cili më parë kishte pasur një mosmarrëveshje me të ndjerin, e sulmon me lopatë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
R.C. e kishte humbur vetëdijen, ishte dërguar në Emergjencën e Ferizajt dhe pas dhënies së ndihmës së parë ishte transferuar në QKUK në Prishtinë, ku më 16 tetor 2016 nga lëndimet e marra kishte vdekur.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.