100.000 euro u pagua kompania që rekomandoi shkëputjen e kontratës me “Z-Mobile”

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Dhjetë vjet pasi Telekomi kishte vendosur t’i ofronte shërbime “Z-Mobile” i ka rënë në mend të kalkulojë dëmet që ky operator ia ka shkaktuar.

Sipas një ekspertize të bërë me urdhër të Bordit, Vala për çdo vit ka pësuar humbje mbi 10 milionë euro si pasojë e kësaj marrëdhënieje kontraktuese me këtë operator virtual, raporton KTV.

Kjo ekspertizë i ka kushtuar buxhetit të rrënuar të Telekomit rreth 100 mijë euro, apo më saktësisht 93 mijë e 250 euro.

Dhe duke u bazuar në të, kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, më 25 shkurt i ka shkruar ministres së Zhvillimit Ekonomik, Rozeta Hajdari, duke i kërkuar asaj që të koordinohen dhe t’i ushtrojë kompetencat e saj në cilësinë e aksionares pas shkarkimit të Bordit të drejtorëve.

Sipas Istrefit, është esenciale që MZH-ja ta marrë në duar situatën.

Në letër theksohet se me rekomandimin e Bordit janë angazhuar dy ekspertiza të detajuara për procedurën e negociatave dhe për të parë dëmet që ia kishte shkaktuar Telekomit bashkëjetesa me “Z-Mobile”.

“Fillimisht ishte angazhuar ekspertiza financiare dhe teknike rreth marrëveshjes me këtë operator virtual, ekspertizë ndërkombëtare e bërë nga kompania ‘Mazzaras’ dhe ekspertizë ligjore përmes një ekipi juristësh me përvojë. Ekspertiza ndërkombëtare ka konkluduar se nga marrëveshja aktuale ka humbje vetëm sa i përket kostos së shërbimeve që i ofron ‘Z-Mobile’ në vlerë prej më shumë se 10 milionë eurosh në baza vjetore dhe se marrëveshja aktuale është shkatërruese për Telekomin. Tutje edhe ekspertët ligjorë kanë lëshuar opinion me shkrim se nuk kanë obligime ligjore të vazhdojnë tutje marrëveshjen e tillë për sa kohë dëshmohet se është në humbje financiare dhe ajo është e dëmshme për Telekomin”, thuhet në letrën e KE të Telekomit për MZHE-në.

Aty kërkohet që Qeveria të ndërmarrë hapa urgjentë dhe të koordinohet me menaxhmentin pasi aktualisht ka dy procese paralele gjyqësore me “Z-Mobile”.

E para ka të bëjë me procedurën e përmbarimit të vlerës së shumës nga arbitrazhi i parë, e cila është rreth 30 milionë euro.

Në këtë letër, Ministria njoftohet se Telekomi ka angazhuar kompaninë “Hogan Lovels” me bazë në Paris, për procesin e dytë të arbitrazhit dhe se procedura aktualisht është në fazën fillestare.

“Përmes vendimit final të arbitrazhit të datës 6 dhjetor 2016 Telekomi është detyruar të paguajë disa nga “dëmet kontraktuese” për Dardafon.net. Pas barazimit reciprok ka mbetur obligimi i Telekomit në shumë prej 25 milionë eurosh plus kamata dhe shpenzimet ligjore. I njëjti vendim është në procedurën e përmbarimit pranë përmbaruesit privat të datës 15 korrik 2019, derisa lënda sipas prapësimit të Telekomit të datës 18 korrik 2019 për vendosjen në Gjykatën Themelore… Në rast të suksesit të ‘Z-Mobile’ në gjykatë rreth procedurës së përmbarimit Telekomi do të rrezikonte falimentimin në pamundësi të pagesës së shumës së tillë. Kjo situatë kërkon vëmendjen tuaj urgjente në përputhje me kompetencat e tua si aksionare”, thuhet në këtë letër të cilën e ka siguruar Kohavisioni.

Aty theksohet edhe mundësia që Telekomi të ushtrojë padi kundër kompanisë së Devollëve dhe kjo thuhet se vjen si rekomandim i ekspertizës së bërë nga ekspertiza e Mazzaras.

Telekomi i Kosovës është duke shikuar mundësinë e paditjes me kundërpadi në tri pika.

Kompensimin e dëmeve, të cilat rrjedhin nga humbjet direkte të Telekomit në raport me shfrytëzimin e resurseve në përputhje me kostot e Rregullatorit, kompensimin e dëmeve në lidhje me shpenzimet e pagesës së kodit të Monacos për numrat e Dardafon.net, si dhe kompensimin e dëmeve për përgjegjësit e aktivitetit Sim to Sim.

Në letër theksohet se kundërpadia përpos që ka kosto financiare kërkon edhe vendimmarrje strategjike nga ana e aksionarit kryesor.

Të ngjashme