Vitet e fundit, punësimin në Kosovë e kanë ndihmuar shumë kompani që kanë ofruar shërbime nga Kosova për vendet perëndimore, si ofrues të shërbimeve ndaj klientëve, Web development, shërbime të IT-së e të tjera.
Një ndër këto kompani është edhe “evroTarget LLC.”, me seli në Prishtinë, e cila merret me shërbime outsourcing, kujdesin ndaj klientëve kryesisht inbound si dhe me zhvillimin e softverëve të ndryshëm, duke përdorur një teknologji tejet të sofistikuar.
Në këtë kontekst, përfaqësues të MDIS-it u takuan me menaxhmentin e kompanisë “evroTarget LLC”, i cili bëri prezantimin për 100 vende të lira të punës për këto profile: zhvillues i softverëve, njohës të gjuhës gjermane, angleze, frënge, italiane, holandeze dhe asaj daneze për shërbimet që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj klientëve.
Themeluesi i kësaj kompanie, Bashkim Malushaj, njëherësh themelues i kompanisë “IceBaum” në Gjermani, e cila ofron shërbime konsulente në fushën e energjisë dhe zhvillimit të strategjive, tha se idenë e kanë filluar tash e tetë vjet, me synimin se mund të kryejmë punë nga Prishtina për tregun e Gjermanisë. Me gjithë vështirësitë, kjo ide është treguar e suksesshme.
Klientët e “EvroTarget” janë kryesisht kompani të huaja, të cilat produktet apo shërbimet e tyre i kanë të njohura ndërkombëtarisht.
Fuqia punëtore e “evroTarget” është e përqendruar në Kosovë.
Kjo kompani i ka të punësuar rreth 240 punëtorë, me synimin që këtë numër ta dyfishojë brenda dy vjetësh.
Përfaqësuesit e MDIS-it këto oferta për punë i cilësuan si një perspektivë për të rinjtë e Kosovës, por edhe si një mundësi të mirë për të rinjtë nga diaspora, të cilët janë të interesuar të kthehen në vendin e origjinës, duke pasur parasysh të ardhurat e mira dhe mirëqenien që siguron kjo kompani.