Makinat. Efiçenca. Pantallona të shkurtra lëkure. Gjermania njihet përreth globit se shkëlqen në një sërë gjërash.
Vetë gjermanët njihen si miqësorë dhe mikpritës, ndonëse shumëkush mendon se nuk kemi pothuaj fare sens humori.
Vendi ynë lëvdohet gjithashtu me një mijëvjeçar histori që, për mirë a për keq, i ka dhënë formë botës ashtu si e njohim sot.
Por ky vend në qendër të Europës ka shumë më tepër se sa thjeshtë stereotipet dhe shakatë për luftën.
Ja 11 gjëra që e bëjnë Gjermaninë të veçantë.
1. Përzierja e ujit dhe elbit për birrën
Gjermanët pijnë, thithin, hanë dhe “flejnë” birrë.
Ok, ne kryesisht pijmë birrë.
Ka më shumë se 1300 fabrika birre dhe 5000 marka të ndryshme që na ndihmojnë të pijmë më shumë birrë për njeri, se sa çdo vend tjetër europian, përveç Republikës Çeke.
Në Gjermani, ne kemi ligje specialë për birrëm – të ashtuquajturit rregullat e Deutsches Reinheitsgebot, të miratuar fillimisht në vitin 1516, dhe që diktojnë se mund të përdoren vetëm ujë, elb dhe lulet e “Humulus lupulus”.
2. Kalimi nga pika A në Pikën B
Me kaq shumë prodhues makinash të mira, mund t’ju falet nëse mendoni se ne lëvizim vetëm me BMW, Audi ose Mercedes.
Por ndërkohë që pjesa tjetër e botës magjepset pas makinave tona – ose në rastin e Volksëagenit, kruajnë kokën për shkak të niveleve të lëshimit të gazrave në atmosferë – ne vetë zakonisht marrim trenin.
Rrjeti hekurudhor i shkëlqyer i Gjermanisë është ende kryesisht shtetëror, teksa Deutsche Bahn vazhdon të vërë në punë trena e pasagjerëve dhe të mallrave.
Afro shtatë milion pasagjerë relativisht të lumtur dhe 1 138 000 tonë mallra, bëjnë çdo ditë 26 000 udhëtime me tren, në rrjetin 33 000 kilometërsh.
Pavarësisht gjithë këtij trafiku, trenat gjermanë janë përgjithësisht në kohë – ose të paktan me jo më shumë se 5 minuta vonesë. Ne kemi trena të shpejtësisë së lartë ICE, që lidhin qytete e mëdhenj, me shpejtësi deri 300 kilometra në orë.
Mund ta provosh këtë duke përdorur një BMW – disa prej autostradave nuk kanë limit zyrtar të shpejtësisë – por kur të të lërë motorri, gjithësesi do të të duhet të marrësh trenin për t’u kthyer në shtëpi.
3. Jeta ujore
Kur gjermanët nuk janë të fiksuar pas birrës, ata janë të fiksuar pas ujit.
Jo për të pirë, por për të dalë, për lundrim, surf, ski në ujë, not, kajak dhe kanoe, si dhe ara me vela – në cilindo lloj moti.
Dhe nuk është për t’u habitur.
Gjermania ka më shumë se 12 200 liqene të mrekullueshëm, shumica e të cilëve janë të disponueshëm për çfarëdolloj aktiviteti gjatë vitit.
Disa prej skenave më të bukura alpine mund të shihen prej brigjeve të liqeneve bavarezë, si Konigssee apo Tegernssee. Mecklenburgu – Pomerania Perëndimore dhe Brandenburgu janë gjithashtu të mbushur me liqene – madje ka edhe një gjurmë për të ecur, që lidh të 66 liqenet në Brandenburg.
Një renditje europiane e botuar në vitin 2013 tregonte se Gjermania ka ndoshta numrin më të lartë të “liqeneve të shkëlquer” dhe lumenjve për not.
Dhe nëse gjithë këta ushtrime të shtojnë etjen për birrë, aq më mirë.
4. Heqja e rrobave në publik
Kur vjen fjala për të dalë lakuriq në natyrë, asnjë komb tjetër nuk na afrohet.
Nuk ju fajësojmë që mbani distancë, thjeshtë mos na gjykoni.
5. Bukëpjekja
Disa njohës të verërave franceze mund të tregojnë thjeshtë duke nuhatur një shishe të hapur, jo thjeshtë se ku është rritur rrushi, por edhe në çfarë drejtimi ka qenë vreshti. Mund të thuhet e njëjta gjë për gjermanët me bukën.
Buka kështu është më shumë se thjeshtë pjesë e vaktit të përditshëm, është pjesë e kulturës.
Secili rajon ka variacionet e veta – ekzistojnë sot më shumë se 1500 – që nga buka e thekrës, e errët dhe e rëndë në veri, deri tek buka e bardhë, më e lehtë në jug.
Gjermanët hanë mesatarisht 87 kilogramë bukë në vit secili, dhe ekziston një bukëpjekës për çdo 2100 banorë.
Dhe po, ne e dimë që kjo ka pasoja për vijën e belit tonë.
Por ne prapëseprapë dalim lakuriq në natyrë.
6. Burokracia
Nuk duhet të shkaktojë habi fakti që Gjermania ka një bollëk ligjesh që kontrollojnë pothuaj çdo aspekt të jetër. Dhe ndërkohë që kjo sasi rregullash dhe ligjesh duket sikur na bën jofleksibël, në të vërtetë është pikërisht ajo që na jep reputacionin e të qënit shumë efiçentë.
Kjo dashuri për rregullat manifestohet në shumë mënyra.
Të tjerët shfryjnë dhe vrenjten nëse të shohin që kalon rrugën si këmbësor, ndërkohë që semafori është i kuq, dhe nëse të kapë polici, gjobitesh.
Ne jemi gjithashtu të fiksuar sa i përket ndarjes së mbeturinave.
Çdo shtëpi ka të paktën 4 kosha plehrash: plastikë, letër, mbetje organike dhe plehra të tjera.
Nëse i hedh mbeturinat në koshin e gabuar, rrezikon të gjobitesh.
Për të mbajtur nën kontroll gjithë këtë potencial për kaos social, ekziston një zyrë qeveritare e quajtur Ordnungsamt, e cila fjalë për fjalë përkthehet “zyra e rendit”. Qeshni sa të doni, por kjo është një mënyrë se si ne arrijmë të kemi një prej niveleve më të ulët të papunësisë në Europë.
7. Lëvizja e gjithçkaje
Kur jepen me qira, shtëpitë dhe apartamentet në Gjermani nuk janë asnjëherë të mobiluar.
Kjo do të thotë që as pajisjet e kuzhinës apo të banjës, nuk janë të detyrueshme.
Kështu kur gjermanët lëvizin, ata e bëjnë me gjithë orenditë – duke përfshirë sobën, frigoriferin, kundrabufetë, e madje edhe lavamanin.
Ditët e lëvizjeve janë një lloj kalimi kohe kombëtare, shpesh herë përfshihen miq, familjarë, në vend të profesionistëve.
Shpesh herë kjo kërkon që të shtrosh ushqim dhe birra të mjaftueshme, me qëllim që të mbash të gjithë aty, deri kur të boshatiset hapësira e shtëpisë.
Dhe sigurisht, edhe copa e fundit e mbeturinave përfundon në koshin e duhur.
8. Kështjella
Në familjet gjermane sot, ndoshta nuk tregohen shumë përralla dhe legjenda, ndoshta sepse jemi të zënë duke lexuar oraret e trenave dhe rregulluar plehërat në koshat e caktuar.
Por vendi ynë ka gjithsesi shumë kështjella të bukura nga kohët e shkuara.
Ka kështjella mesjetare në majë të kodrave, kështjella të Rilindjes, dhe pallate të shekullit 19 si Neuschwansteini i famshëm në Bavari (ka qenë frymëzimi i kështjellës së Walt Disneyt).
Sot në Gjermani ka më shumë se 25 mijë kështjella (pa llogaritur të rrënuarat, që janë ende të vizitueshme) dhe shumica e tyre janë shndërruar në muze, restorante e madje edhe hotele.
Ne jemi të gatshëm që disa t’ua japim me qira pushuesve.
Na quani të çmendur, por do t’ju vendosim edhe një lavaman.
9. Shëtitjet e fundjavave
Ja një tjetër arsye për të dalë nga stacioni i trenit dhe për të braktisur Audin – pyjet, malet, lumenjtë dhe brigjet e detit në Gjermani kanë 200 mijë km shtigje për të ecur.
Që nga lëndinat me lule, deri në malet e lartë, ato mbulojnë një sasi të pabesueshme terreni.
Brandenburgu, Bavaria, Sakson dhe rajoni përreth Rinit dhe Moselles kanë të gjithë përbërësit e nevojshëm për një ekskursion të mrekullueshëm.
10. Festat
Karnavalet më të bukura janë në Rio, apo jo? Nein! Janë në Gjermani.
Në Brazil, ku të gjithë janë të hareshëm 364 ditë të vitit, të bësh festë në ditën e 365 nuk është ndonjë gjë e madhe.
Në Gjermani, ku të gjithë janë seriozë 364 ditë të vitit, të bësh festë ditën e 365 është e paparë!
Rhineland në Gjermaninë veriperëndimore mban një “karnevale” vjetore, në formën e Paradës së të Hënës së Trëndafiltë, ku deri 2 milionë vizitorë me kostume mbushin rrugën e Këlnit dhe Dyseldorfit. Në jug të Gjermanisë, në festimet e njohur si Fasching dhe Fastnacht, njerëzit mbajnë maska tradicionale dhe vishen si djaj, apo bisha të egra.
Kudo ku ndodhin festimet, e gjitha përfundon me Të Mërkurën e Hirit, kur gjithësecili kthehet të bëhet serioz dhe eficient, ndonëse ndonjëherë me pakëz dhimbje koke.
11. Shakatë
Nuk është se gjermanët nuk dinë të tregojnë shaka apo barcaleta, por disa prej barcaletave më të mira duan 50 vite të tregohen.
Mendoni dashurinë tonë për “Darkë për Një njeri”, një skeç televiziv anglez aspak për të qeshur, që në vendlindjen e tij nuk u pëlqye aspak sapo doli dhe që u transmetua më shumë se një shekull më parë. Skeçi, me një grua të moshuar dhe shërbëtorin e saj të dehur, vërtitet përreth përsëritjes së frazës “e njëjta procedurë si vitin që kaloi”, dhe e arrin kulmin me një frazë finale që mund të ketë qenë e papritur pasi u ngrit Muri i Berlinit, por që tani është bjerrur.
Nuk ka rëndësi nëse pjesa është për të qeshur apo jo.
Humori i vërtetë vjen nga fakti që është transmetuar në Gjermani, pothuajse pa përjashtim, për çdo natë të Vitit të Ri, që nga viti 1963.