Stuhitë e fuqishme që e kanë përfshirë pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara janë cilësuar shkaktare për vdekjen e së paku 11 personave, përfshirë dy pjesëtarë të ekipeve emergjente.
Ky rajon është përfshirë nga reshjet e mëdha të shiut, tornadot dhe erërat me shpejtësi të madhe.
Viktimat e motit të lig u regjistruan në Teksas, Alabama dhe Louisiana.
Shërbimi Kombëtar i Motit i raportoi tri vdekje të lidhura me motin e lig në Alabama, ndërsa zyrtarët e Teksasit thanë se dy pjesëtarë të ekipeve emergjente vdiqën në dy aksidente fatale në trafik për shkak të akullit në rrugë.
Autoritetet i kanë filluar kërkimet për viktima të tjera të mundshme, sepse shkuarja në disa zona është bërë e vështirë për shkak të rrugëve të rrëshqitshme.