Kemi dëgjuar dhe lexuar për coronavirusin tashmë prej disa muajsh, por shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Është normale, veçanërisht kur bëhet fjalë për një pandemi: studimet bëhen më shpejt dhe vendimet shpesh bazohen në hipoteza që ende presin të verifikohen. Ka mijëra gjëra që ende nuk i dimë për virusin. Ka shumë hipoteza, përgjigjet e të cilave do t’i marrim me kalimin e kohës. Më poshtë lapsi.al sjell të renditura disa nga dilemat e covid-19.
1. Nga erdhi saktësisht?
Virusi u zbulua për herë të parë në Ëuhan të Kinës, në fund të vitit 2019, nga një grup rastesh të njerëzve që kishin frekuentuar një treg kafshësh. Koronavirusi, i quajtur zyrtarisht Sars-CoV-2, është i lidhur ngushtë me viruset që infektojnë lakuriqët, megjithatë nuk është akoma e qartë se cila ishte kafsha “urë” midis lakuriqëve dhe njerëzve. Lidhja që mungon, për të cilën disa spekulojnë se mund të jetë pangolina, mbetet e panjohur dhe mund të jetë burimi i infeksioneve të mëtejshme në të ardhmen.
2. Kur u përhap?
Kur u përhap në Kinë? Kur në Itali? Kur erdhi në Shqipëri? Rastet “zero” nuk dihen asnjëherë saktësisht edhe pse ekzistojnë hipoteza. Një studim italian deklaron se koronavirusi ka lindur në Kinë qysh në tetor-nëntor të vitit të kaluar. Hulumtimi është kryer në laboratorin e Klinikës së Sëmundjeve Infektive të DIBIC, në Spitalin Sacco në Milano bazuar në një hetim epidemiologjik molekular të kryer në variacionet e gjenomit viral. I njëjti studim hetoi “ditën zero” në Itali dhe sipas tij, virusi mund të ketë hyrë në vend para bllokimit të fluturimeve nga Kina, ndërsa pacienti “evropian zero” mund të ketë mbërritur në Gjermani në 24 janar. Nuk ka siguri në lidhje me pacientët e parë, të cilët në një situatë normale janë të rëndësishëm për të ditur qarkullimin e virusit duke gjurmuar menjëherë të gjitha kontaktet dhe gjithashtu për historinë e vetë epidemisë.
3. A do të ndryshojë virusi?
Duke folur për karakteristikat e brendshme të një virusi, është e rëndësishme të kuptohet nëse ai do të ndryshojë apo nëse po ndryshon. Viruset ndryshojnë vazhdimisht, por shumica e ndryshimeve në kodin e tyre gjenetik nuk bëjnë një ndryshim të rëndësishëm. Si rregull i përgjithshëm, viruset zakonisht evoluojnë duke u bërë më pak vdekjeprurës në planin afatgjatë (siç ndodhi me SARS), por kjo nuk është e garantuar. Shqetësimi lidhet me faktin se nëse virusi ndryshon, sistemi ynë imunitar nuk e njeh më dhe një vaksinë specifike nuk funksionon më (siç ndodh me gripin). Tani për tani, ky koronavirus duket se nuk ndryshon, por historia e tij në speciet njerëzore është ende shumë vogël për të folur me siguri.
4. A fiton imunitet nëse e merr një herë koronavirusin?
Disa viruse sigurojnë imunitet të përhershëm, të tjerë jo, ndërsa të tjerë e kanë të përkohshëm. Tani për tani nuk e dimë se si do të sillet ky virus. Lidhur me lajmet për njerëzit e shëruar që e morën atë për herë të dytë, mund të themi se në këtë rast bëhet fjalë për “relaps”. Me sa duket virusi nuk ishte eliminuar ende nga trupi. Çështja e imunitetit është thelbësore për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në planin afatgjatë ose në rastin e një vale të dytë.
5. A do të ketë valë të dytë?
Një valë e dytë mund të shpërthejë nga ri-importimi i rasteve nga zona të botës ku infeksioni pati një prirje më të vonuar. Problemi është jo-sinkronia e shpërthimit të epidemive në të gjithë botën. Mund të sigurohemi vetëm kur të shohim një ulje të konsiderueshme të numrit të rasteve edhe në vendet e tjera. Disa viruse janë përsëritëse, për shembull MERS nuk përfundoi kurrë. Shpresat janë që covid-18 do të ruajë patogjenitetin dhe letalitetin aktual relativisht të kufizuar dhe nuk do të ndryshojë gjenetikisht. Hipotezat në këtë drejtim janë: vënia nën kontrolli rezulton me sukses (si me Sars); epidemia mbaron pasi të ketë infektuar sa më shumë njerëz (si me Zika); virusi humbet intensitetin dhe mbetet endemik si viruse të tjerë që vazhdojnë të qarkullojnë (siç është gripi).
6. A do të ketë më pak raste gjatë verës?
Ftohjet dhe gripi janë më të zakonshme në muajt e dimrit sesa në verë, por akoma nuk dihet nëse moti i ngrohtë do të ndryshojë përhapjen e virusit. Ekzistojnë disa studime që konvergojnë mbi hipotezën se COVID-19 preferon një klimë të ftohtë dhe të thatë në krahasim me vendet me klimë të nxehtë dhe të lagësht. Ky fenomen është i njohur për virusin SARS. Sidoqoftë, ende kjo nuk është e mjaftueshme për të dhënë një përgjigje të qartë.
7. Sa njerëz janë infektuar në të vërtetë?
Është një nga pyetjet më themelore, por gjithashtu një nga pyetjet më të rëndësishme dhe më të vështira për t’u përgjigjur. Ka pasur qindra mijëra raste të konfirmuara në të gjithë botën, por kjo është vetëm një pjesë e numrit të përgjithshëm të infeksioneve. Numrat ngatërrohen më tej pasi ka një numër të panjohur të rasteve asimptomatike: njerëzit që e kanë virusin, por nuk ndjehen keq. Zhvillimi i një testi të antitrupave do t’i lejojë studiuesit të shohin sa e kanë pasur virusin. Disa thonë se probabiliteti është që 1 person i identifikuar si i prekur duhet të shumëzohet me 10 për të nxjerrë numrin real, por ende nuk është e sigurt.
8. Sa vdekjeprurës është?
Derisa të dimë se sa raste ka pasur gjithsej, është e pamundur të jesh i sigurt për nivelin e vdekshmërisë. Për momentin vlerësimi është se rreth 1% e njerëzve të infektuar me virus vdesin, por nëse ka shumë pacientë asimptomatikë, shkalla mund të jetë më e ulët. Nga ana tjetër, numri i vdekjeve nga koronavirusi gjithashtu nuk është njëlloj në vende të ndryshme.
9. Cilat janë simptomat?
Simptomat kryesore të koronavirusit janë ethe, kollë e thatë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në disa raste jep dhimbje të fytit, dhimbje koke dhe diarre. Ka edhe raportime se të prekurit kanë humbje e ndjenjës së aromave dhe shijes. Në disa raste kjo është pjesë e fazës së shërimit. Pyetja më e rëndësishme është nëse ka simptoma më të lehta si: bllokim të hundëve apo teshtitje që janë të pranishme në disa pacientë. Studimet kanë treguar se këta janë përgjithësisht njerëzit që janë potencialisht infektivë, por që nuk e dinë se e mbartin virusin.
10. Cili është roli i fëmijëve në përhapjen e virusit?
Fëmijët mund të marrin coronavirusin. Sidoqoftë, ata kryesisht tregojnë simptoma të lehta. Ndodh që fëmijët janë “super-përhapës” të sëmundjeve, sepse ato përzihen me shumë njerëz (në sheshe lojërash), ose kanë kontakte me të gjithë familjen. Për këtë virus ende nuk është studiuar në çfarë mase fëmijët kontribuojnë në përhapjen e tij.
11. Pse disa njerëz përkeqësohen?
Covid-19 është një infeksion i lehtë në shumicën e kohës. Sidoqoftë, për rreth 20% e të prekurve kalon si sëmundje më serioze, por pse? Gjendja e sistemit imunitar të një personi duket se është pjesë e problemit dhe mund të ketë gjithashtu një faktor gjenetik. Të kuptuarit e kësaj mund të çojë në zhvillimin e sistemeve të parandalimit të përhapjes.