Të paktën 11 persona kanë vdekur dhe 60 të tjerë rezultojnë të zhdukur nga fundosja e dy anijeve në brigjet jugore të Italisë, raporton BBC.
Organizata gjermane RESQSHIP ka bërë të ditur se 51 persona janë shpëtuar nga një anije prej druri, ndërkaq 10 trupa janë nxjerrë nga pjesa e poshtme e anijes që ishte fundosur afër ishullit të Lampedusas të hënën.
Në incidentin tjetër të hënën, më shumë se 60 persona janë raportuar të zhdukur, 26 prej tyre besohet se ishin fëmijë, kanë njoftuar “Mjekët pa Kufij”.
Në anije ishin migrantët që besohet se janë nisur nga Libia dhe Turqia.
Të mbijetuarit janë dorëzuar tek autoritetet italiane në Lampedusa.
Mesdheu është shndërruar në një prej rrugëve më vdekjeprurëse detare në botë.
Më shumë se 23 mijë migrantë kanë vdekur ose janë zhdukur në ujërat e Mesdheut që prej vitit 2014, tregojnë të dhënat e Kombeve të Bashkuara.