Një vajzë 11-vjeçe nga St Veit an der Glan në Austri, i ka shpëtuar vdekjes për një “fije floku”, kur me traktor “fluturoi” dhe përfundoi në kulmin e një shtëpie.
Siç raporton Kronen Zeitung, vajza kishte për qëllim të ndihmojë prindërit, duke u ulur në kabinën e traktorit në një fushë të gjelbëruar.
Në një moment traktori kishte filluar të lëviz nga një kodër dhe përfundoi në kulmin e shtëpisë. Mediat austriake raportojnë se incidenti ka ndodhur më 2 qershor, kurse traktori fillimisht kishte thyer rrethojën e oborrit dhe më pas kishte përfunduar në kulm.
Me të kuptuar se çfarë kishte ndodhur, prindërit i kishin telefonuar helikopterit të ekipeve të shpëtimit nga frika se mund të ketë pësuar lëndime trupore – ku menjëherë është dërguar në spitalin e Klagenfurtit.
Atje mjekët konstatuan se vajza nuk është lënduar dhe se as gërvishtjen më të vogël nuk e ka në trup. E traktori është larguar nga kulmi me një vinç, ku dëmet materiale vlerësohen të jenë të mëdha.