Sot janë bërë 11 vjet që nga votimi në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale. Në këtë përvjetor, avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se procesi i deritanishëm i kësaj gjykate ka dëshmuar se nuk i ka përmbushur pritjet dhe se ka devijuar nga parimet themelore të drejtësisë.
Duke folur për rrethanat që çuan në themelimin e Gjykatës Speciale, Bajraktari në një intervistë për Ekonomia Online tha se vendimi ishte marrë nën presion të madh ndërkombëtar.
“Fillimisht, nëse kthehemi në retrospektivë, 11 vite më përpara dhe mbase edhe para kësaj kohe, presioni dhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, të aleatëve në drejtim të Kosovës kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Besoj që lidershipi i asaj kohe, mes alternativave, është përpjekur dhe ka zgjedhur alternativën që është besuar se do të jetë më pak e dëmshme për Kosovën si shtet”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij, mënyra se si ka funksionuar kjo gjykatë ka treguar se nuk është ndërtuar mbi standardet e drejtësisë.
“Ecuria e punës së kësaj gjykate madje-madje edhe para fillimit të punës së saj dhe gjatë gjithë ecurisë deri tash ka dëshmuar që kjo gjykatë nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me drejtësinë. Ka shkelur parimet dhe rregullat bazë të drejtësisë. Kemi një proces të stërgjatur, kemi një proces i cili bazohet në prova dhe dëshmi të mbledhura nga një shtet që ka ushtruar gjenocid, dhunë dhe spastrim etnik.Të gjitha këto e bëjnë që, megjithatë, kjo gjykatë nuk e ka dëshmuar mbështetjen që i kanë dhënë institucionet e Kosovës dhe ka dëshmuar që është një gjykatë dhe një proces jashtëzakonisht i padrejtë, së paku deri tash”, tha ai.
I pyetur nëse themelimi i Gjykatës Speciale ishte vendim i duhur, Bajraktari tha se në atë kohë institucionet ishin përballë dy alternativave.
“Vlerësoj që mes dy alternativave, së paku asaj kohe që janë diskutuar mes themelimit të këtij mekanizmi nga institucionet e Kosovës dhe alternativës tjetër që ka qenë themelimi nga Këshilli i Sigurimit, ku aty do të kishte rol edhe më të madh Rusia besoj që është zgjedhur njëra prej alternativave që është vlerësuar më pak e dëmshme”, deklaroi ai.
Sipas tij, lidershipi i asaj kohe kishte vepruar në përputhje me rrethanat politike dhe presionin ndërkombëtar.
“Mbi të gjitha, vlerësoj që lidershipi i asaj kohe ka vepruar konform rrethanave, sepse vërtet kërkesat kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha dhe presioni në vazhdimësi. Natyrisht, është vepruar konform rrethanave dhe në bashkëveprim me partnerët ndërkombëtarë, me theks të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ecuria e punës së kësaj gjykate e ka dëshmuar se kjo gjykatë nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me drejtësinë, kjo gjykatë i ka shkelur dhe po i shkel parimet bazë të drejtësisë”, tha ai për Ekonomia Online.
Sa i përket pritjeve për epilogun e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Bajraktari tha se pret një aktgjykim lirues.
“Besoj që fundi i epilogut, me theks të veçantë ai që ndërlidhet me katërshen e UÇK-së, duhet të jetë pafajësia e tyre. Prokuroria nuk ka arritur t’i argumentojë tezat e akuzës dhe për rrjedhojë pres që të konfirmohet lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të konfirmohet që katërshes së UÇK-së dhe UÇK-ja nuk ka pasur për qëllim kryerjen e krimeve, por ka pasur për qëllim çlirimin e vendit”, deklaroi ai.
Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, Prokuroria nuk ka arritur të provojë akuzat kryesore.
“Prokuroria nuk ka arritur t’i argumentojë tezat e saj të akuzës për sa i përket edhe ndërmarrjes së përbashkët kriminale, ekzistimit të hierarkisë komanduese, ekzistimit të një strukture të mirëfilltë, si dhe qëllimit në vetvete për të kryer krime. Prandaj, çdo vendim tjetër përveç pafajësisë së katërshes së UÇK-së, në bindjen time, është i pabazuar në prova kredibile dhe i pabazuar në ligj”, shtoi avokati Ardian Bajraktari.
