Kur janë bërë më shumë se 11 vite që nga vrasja e Naim Hajrizit, gjykimi ndaj dy të akuzuarve për këtë rast, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu, do të filloj sërish nga fillimi.
Kjo pasi që, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast sërish në rigjykim në shkallën e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, e kishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë, Gëzim Retkocerin. Të njëjtin, shkalla e parë e kishte gjykuar me 30 vjet burgim.
Retkocerit, i cili akuzohet për vrasjen e Naim Hajrizit, në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 30 prilli 2009 e tutje. Të njëjtit i është konfiskuar edhe një veturë e markës “Golf 2”.
Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast, Osman Spahiu, ishte shpallur fajtor për veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim. Duke qenë se Spahiu kishte qenë në paraburgim nga viti 2009 e deri më 21 janar 2020, i njëjti tashmë veç e ka mbajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij.
I akuzuari Osman Spahiu, fillimisht ngarkohej me veprën penale “vrasje e rëndë”, mirëpo, pasi prokurorja Fikrije Fejzullahu, në seancën e 10 janarit 2020, kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, ai edhe e kishte pranuar fajësinë.
E pakënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar ndaj të akuzuarit Retkoceri, prokuroria dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Berat Tmava, ishin ankuar në Apel, nga e cila kërkonin ashpërsimin e dënimit.
Ndërsa, në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarit kishte kërkuar nga Apeli që të akuzuarin Retkoceri ta liroj nga akuza ose që lëndën ta kthej sërish në rigjykim.
Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apeli kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, ka vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.
“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” – thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.
Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mos arsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.
Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.
“Duke pas parasysh se në rastin konkret kemi të bëjmë me një lëndë penale tepër serioze, kjo Gjykatë në mënyrën se si është përpiluar aktgjykimi i shkallës së parë nuk mund ta kalon si të tillë pasi që e njëjta për arsyet e cekura më lartë është e përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale” – thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit Naim Hajrizi. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetje së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.
“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate” – thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.
Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.
Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzon Retkocerin dhe Spahiun, se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.
Sipas aktakuzës, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.
Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.