Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se 1,985 shtetas janë kontrolluar në kuadër të operacionit kundër lojërave të fatit, operacion ky i shtrirë në gjithë vendin.
Rrumbullaku tha në një deklaratë për mediat se pas kontrolleve u goditën 181 raste, nga ku u proceduan 210 shtetas, 116 prej të cilëve u arrestuan në flagrancë.
Njoftim i plotë:
Në vijim të megaoperacioneve, bazuar në inteligjencën policore dhe në denoncimet e qytetarëve, Policia e Shtetit hartoi një plan të detajuar masash, për goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, si dhe të rasteve të përshtatjes së lokaleve për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Në zbatim të planit operacional për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, në të gjithë vendin, ka vijuar megaoperacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.