Qytetarët si rrallë herë u zgjuan jo nga lindja e diellit, por nga goditjet e forta sizmike të orës 03:35.
Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Bluzat e bardha dhe policia në gatishmëri. Ngrihen çadra në Fushë-Krujë e Durrës, për shkak se zonat më të prekura janë Thumana dhe qyteti bregdetar.
Vijojnë operacionet e shpëtimit për të nxjerrë trupat dhe të mbijetuarit nga rrënojat.
Shqipëria është me sytë nga Thumana aty ku janë shënuar dëmet më të mëdha dhe ku tre pallate janë shembur. Rrëqethës ishte shpëtimi i një djali të vogël në prehrin e gjyshes së tij e cila mbeti e pajetë nën rrënoja.
Një foshnjë, gra, burra e vajza humbën jetën në Thumanë, ndërsa bilanc tragjik është shënuar edhe në qytetin e Durrësit, ku u shembën vila, godina biznese e hotele me pasoja të rënda. Në Durrës tërmeti shembi edhe Kavaleshencën në Durrës ku mbeti i pajetë në detyrë një efektiv i policisë, kryekomisari Bajram Hajdarmataj. Në Thumanë, Kristian Preçi humbi jetën duke mos mundur të shijojë lirinë e fituar vetëm prej dy ditësh, pasi kishte qenë në burg prej 5 muajsh.