Në një kaos të papërshkruar, kohë lufte e trishtimi, të kërcënuar nga forcat serbe e me dhimbje e lëshuam Kosovën në mesin e muajit maj, viti 1999. Ankth, pritje lajmesh nga Kosova që kisha lënë prindërit në Prishtinë, familjarë, shoqëri e gjithë bashkombasit e mi. Prindërit megjithatë i mbante një gezim që ne fëmijët ishim larguar. Shumë e shumë fëmijë mbetën të vrarë, pa prindër, familje të ngushtë e të gjërë. Kujtime të paharruara!
Në rrugët e Shkupit na thanë se Ushtria Britaneze që kishte zbarkuar në Maqedoni po kërkonte të rinj e të reja që flisnin gjuhën angleze. Pa asnjë hezitim nxituam drejt një fushë të gjërë jashtë Shkupit. Ishim tre veta, unë, Kujtim Gjevori sot bashkshorti im dhe një djalë tjeter nga Prishtina, Besnik Tahiri, sot koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.
Iu nënshtruam testit të gjuhes angleze,të kondicionit fizik dhe atij të intelegjencs së shkathtësisë në terren. Na pozicionuan mesin e ushtarëve që do të bënin, hyrje me helikopter në Kosovë. Hyrja pritej të ndodhte sa më shpejtë. Më pas u rradhitëm në kampin e një prej pjesëve më të fuqishme të ushtrive në botë. U pajisëm njejtë me ushtarët britanik, përvec armës së zjarrit.
Fatmirësisht isha me kondicion të shkelqyer. Pajisjet, ushqimet dhe uji që duhet t’i mbaja ishin sa gjysma e peshës sime. Jo larg kufirit te Kosovës ishim ne dhe pjesëtarë elitë te ushtrisë britanike. Ato vinin nga një vend i largët, në kulmin e botës në Himalaje. Ishin nga legjioni legjendar, Gurka, janë nga Nepali dhe shërbejnë në ushtrinë britanike. Ishin shumë të sjellshëm e fjalëpak – askush nuk kishte dashur të perballej me furinë e tyre. Së fundi, vetë prania e tyre të perzgjedhur që të hyjnë të parët në Kosovë, është tregues që flet për profiling e tyre.
Ishte data 11 qershor 1999, kur na thanë të bëhemi gati për të hyrë në Kosovë, une dhe dy përkthyesit tjerë ishim bashkë dhe po risnim në mes të një fushe, së bashku me qindra ushtarë të gatshëm për luftë. Forcat ruse tashmë ishin shfaqur në Prishtinë.
Nuk gjej fjalë me të cilat do mund të përshkruaj ndjesitë që po perjetoja atë pasdite. E mbështetur në cantë dhe pranë dashurisë time, që më ndihmonte kurdo që i jepej mundesia, rreth ushqimit apo pajisjeve që na kishin dhene. Kampi ishte shumë I madh dhe ne ishim të shpërndarë.
Shikoja matanë maleve dhe mendoja për fatin e njerëzve që kishin mbetur në Kosovē. Fjala nuk e ka forcën e duhur, prandaj po e lë si pjesë të zemrës dhe padurimit që doja të hyja atje së bashku me ato forca. Ajo ndjenjë do t’më percjell tërë jetën.
Krejt papritur operacioni u anulua për atë ditë. Shkuam të pushonim, por jo gjatë. Pak pas mesnate ushtarët na thirrën. Duhej të niseshim menjëherë! Nuk e besoja që po ndodhte. Po niseshim për të hyrë në Kosovë. Zemra e kishte marrë trupin nën kontrollë dhe nuk po ndjeja frikë as lodhje nga pasha e rëndë.
Po agonte dita e 12 qershorit, 1999, ku helikopterët me dyer të hapura, me ushtarë e me armë te sofistikuara, të gatshëm për t’i përdorur, zbarkuan tek ura e parë nga drejtimi i Shkupit per Prishtinë. Ishim lëshuar ne Kosovë në agun e mëngjesit dhe kërcyem nga helikopteri. Rreziku I minave ishte gjithandej, ne mund të lëviznim vetëm në rrugë te asfaltuar. Njësive deminuese iu desh deri pasditen t’i caktovizonin mjetet shpërthyese në tunelin e parë- dy nga ushtarët Gurka u bënë sakrificë e parë për Kosovën derisa po lironin rrugen për mundësimin e vazhdimit të trupave për të vazhduar shtrirjen mëtutjeshne.
Disa ditë më parë, me frikë dhe me dhimbje kisha kaluar kufirin duke lënë Kosovën pas. Isha përpjekur të mos thoja asnjë fjalë. Kurse forcat sërbe ishin të bindura se kthim pas nuk ka!
Por, aleanca me e madhe ushtarake që historia ka njohur, na solli prapë ne Kosovë, më solli prapë në atë kufi. Tani unë isha ajo që po ua komunikoja atyre urdhërin që të carmatoseshin dhe ta lëshonin pikën kufitare. Komandanti i policisë kufitare më kërcënoi (fjalitë urdhëruese dilnin nga goja ime- të vetmet që i kuptonte). Me shikim kanosës tha: ” kush je ti?, të më urdhërosh ta lëshoj vendin tim??? Nuk pata kohë t’i them që ky ishte urdhëri i KFOR-it, sepse Komandanti i KFOR-it pikasi kërcnimin e tij, pa njohur ndonjërën prej gjuhëve të popujve te hasmuar te Ballkanit.
Pa humbur kohë komandanti ynë britanik beri një hap para tij dhe ia drejtoi armën duke mu lutur që t’ia përkthej se cfarë kishte thënë! Pas kësaj e paralajmëroi se kishte autorizim t’a guaj nëse kërcenon verbalisht apo fizikisht përthyesin e tyre. Komandanti sërb u zbut dhe dorëzoi armën bile pyeti a duhej t’a dorëzoj edhe këllefin. Mbaj mend se carmatosja zgjati me orë tëra. Kisha një ndjenjë të madhe sigurie, gezimi, emocione që si përshkruaj dot. Liria kishte ardhur! Ishte e vertëtë. Një fillim i rendit të ri. Filloi dicka ndryshe, erdhi ne pah nje vlerë që prisnim shumë gjatë, një ligj qè nuk duhej bredhur rrugëve me armë për të kërcnuar dhe vrarë por për të siguruar lirinë cdo qytetari. E tek tuk, po dilnin para edhe ushtarë të UCK-së te lodhur, leckosur por të armatosur, të cilët u sugjeruan që të mos lëviznin me armë. Pastaj kolona jonë filloi të gjarpëronte nëpër grykën e Kacanikut, e rrebeshi i shiut na detyroi të strehohemi në një tendë që depërtonte uji.
Mbaj mend që një nga komandantët britanik liroi vendin e vet ne makinë për të hyrë unë dhe vetë doli në shi. Ashtu vazhdonte ritmi, ku forca të KFOR- it pandërprerë kalonin shpërndaheshin ne territorin e sapo cliruar. Mirëpo para nesh po shfaqej mjerimi, frika, shkretëtira që për sa kohë ishin krijuar nga forcat policore paraushtarake dhe ushtarake sërbe. Ato forca tani iknin, para se ushtarët britanikë të shfaqeshin. Pastaj derisa kolona jonë përparonte në brendi të Kosovës, njerëzit ngadalë me drojë, të pasigurtë por me shpresë filluan të na dalin para të na përshendesnin, t’na presin me gezim, plot shprese dhe shpesh me lule për ushtarët.
C’te them, oh, prapë fjala është e pafuqishme të përshkruaj ato fytyra, shkëlqimin ne ata sy të lodhur, por plotë shpresë që forcat e aleancës po i jepnin fund sundimit dhe regjimit të padrejtë mbi qytetarët e Kosovës. Ato fytyra do të mbesin gjithëmonë në kujtesën dhe thelle në zemrën time.
Sot, dy dekada pas, ende ndjej gëzimin e njerërzve qe po i ktheheshin jetës. Ishte nje ditë e gjatë dhe e paharrushme. Tani ne terren vec se linjat ishin shtrirë. Kujtimin te dashurin tim, sot bashkshort dhe babi vajzes tonë, Stines, e kisha larg dhe nuk mund te komunikoja – përkthenim disa kontigjente me qindra ushtarë. Nuk po e them rastesisht këtë gjë sepse për nga rëndësia ishte minimale krahasuar me historinë që po shkruhej ato ditë, por po e them për të theksuar një gje. Ushtarët britanik duke e ditur që jemi dy të rinjë na I përcillnin mesazhet, duke ndryshuar kështu bindjet për femrën shqiptare sic na kishte paraqitur një sundim antihuman. E tërë kjo në një ditë, që nuk kam si ta harroj.
Këtë përjetim të hyrjes me forcat e NATOs në Kosovë nuk e kam përmendur shpesh, e kam ruajtur me shumë kujdes, perhërë më dukej që tregimi do ta harxhonte dashurinë për të. Por dashuria dhe respekti per diten 12 qershor vetem vjen e rritet, ku une isha një copëz, shumë shumë e vogël ndihme, apo edhe fare krahasuar me cfarë kanë bërë nënat, vajzat, bijat, djemtë, baballarët, fëmijët për vendin tonë që ne sot ta gëzojmë lirinë. Sa herë që frynë era, e kujtoj agun e asaj dite kur era m’i rrihte flokët në derën e hapur të helikopterit që së bashku me Gurkat më sollën në Kosovë . Një ditè qè ndryshoi historinë dhe më në fund e drejta për të jetuar në liri erdhi, për secilin. Ta gezojmë lirinë dhe vendin tonë të bukur, me punë, dashuri dhe përpjekje që cdo gjeneratë që vjen ta gjej mirë e më mirë dhe të krenohet me kontributin tonë, të cfardo forme qoftë me dashurinë me të madhe për vendin dhe të ardhemn e fëmijëve tonë. Vendi im te dua!