12 të arrestuar, aktivistët: Asnjë zyrtar i ZRRE-së s’mund të punojë pa zotimin se s’ka shtrenjtim të rrymës

Prishtinë | 02 Pri 2025 | 10:39 | Nga Ekonomia Online

12 aktivistë të iniciativës “Asnjë cent ma shumë” janë arrestuar mëngjesin e sotëm, pasi në shenjë proteste kundër shtrenjtimit të rrymës kishin bllokuar hyrjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas kësaj iniciative, aktivistët përveç që janë arrestuar, ndaj tyre Policia e Kosovës ka përdorur edhe dhunë.

Tutje, në këtë reagim aktivistët bëjnë thirrje për protestë kundër shtrenjtimit të rrymës prëj 15 për qind.

Sipas tyre, deri në kohën kur do të marrin një zotim se nuk do të ketë aprovim të kërkesës për shtrenjtim të rrymës, ata do ta bllokojnë hyrjen e ZRRE-së, përderisa i kanë bërë thirrje qytetarëve për protestë.

Iniciativa “Asnjë cent më shumë”, ka kërkuar që sa më parë të lirohen aktivistët e arrestuar.

“Me zell të pakuptueshëm nga ana e pjesëtarëve të policisë, janë arrestuar dhe rrahur 12 aktivistë/e. Janë rrahur egërsisht vetëm pse po protestonin kundër rritjes edhe ashtu të rritur të çmimit të energjisë. Të rrahur/a dhe të arrestuar/a po mbahen në polici. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre, kurse qytetarët/et i ftojmë të na bashkohen te zyrat e ZRrE-së. Asnjë zyrtar i ZRRE-së nuk mund të punojë aty. Jo deri në një zotim se nuk kanë për të aprovuar asnjë rritje. Deri atëherë ai nuk është vendi i tyre i punës. Deri atëherë ne jemi dhe duhet te jemi në bllokadë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Të ngjashme