Performancë simbolike kundër bllokadës së Kuvendit, shoqëria civile kërkon zgjidhje të menjëhershme

Prishtinë | 27 Maj 2025 | 10:06 | Nga Gzim Mujaj

Organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar një performancë simbolike para Kuvendit të Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë ndaj bllokimit të procesit të konstituimit të këtij institucioni, raporton EKonomia Online.

Aksioni simbolik u organizua në prag të përpjekjes së 22-të për konstituimin e Kuvendit.

Para hyrjes së Kuvendit janë vendosur ulëse që simbolizonin sallën plenare, ndërsa mbi to ishin vendosur pankarta me mesazhe që, sipas organizatorëve, pasqyrojnë papërgjegjësinë e deputetëve.

Disa nga mesazhet e vendosura në karriget simbolike ishin: “120 rroga, 0 përgjegjësi”, “Deri kur?”, “Cirku i demokracisë”, “Ky nuk është serial – është shteti ynë”, “Për çka ju kemi zgjedhur?”.

Shoqëria civile doli me Deklaratë publike pas performancës simbolike para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për krizën institucionale.

“Sot, para Kuvendit të Republikës së Kosovës, organizatat e shoqërisë civile kanë realizuar një aksion protestues, për të ngritur zërin kundër bllokadës së pajustifikueshme që po vazhdon në përbërjen e re të legjislativit të vendit.

120 karrige të zbrazëta janë vendosur përballë hyrjes së Kuvendit – një për secilin deputet që, për më shumë se tre muaj, ka dështuar të përmbushë detyrimin më bazik të mandatit të tij, atë të përfaqësimit të qytetarëve përmes një Kuvendi funksional, përfaqësues dhe llogaridhënës. Karriget përfaqësojnë po ashtu boshllëkun institucional, mungesën e vullnetit politik dhe krizën e përfaqësimit që po e paralizon shtetin.

Çdo karrige mbante një mesazh të drejtpërdrejtë, duke reflektuar situatën aktuale, si dhe duke bërë thirrje për përgjegjësi, reflektim, bashkëpunim politik dhe veprim të menjëhershëm.

Këto mesazhe janë zëri i qytetarëve, i shoqërisë civile, dhe i një publiku që nuk pranon më as heshtjen, as bllokadën, por kërkon rikthimin e funksionimit demokratik të institucioneve. Orët e vendosura përreth dhe zhurmat e tyre, simbolizojnë alarmin që duhet të zgjojë ndërgjegjen politike të të gjithë deputetëve dhe drejtuesve të partive, që po e mbajnë peng Kuvendin e Kosovës.

Ky aksion është vazhdimësi e reagimit tonë të mëparshëm, duke theksuar se kriza ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm. Kuvendi jofunksional nuk është vetëm një problem procedural apo moment i zakonshëm tranzicioni – por pasqyron një krizë të thellë politike që po rrezikon funksionimin demokratik të shtetit, kontrollin parlamentar mbi qeverinë, miratimin e politikave zhvillimore dhe besimin qytetar në institucionet e zgjedhura.

Në kohën kur vendi përballet me zhvillime të ndjeshme gjeopolitike, izolim financiar nga partnerët ndërkombëtarë dhe stagnim të proceseve zhvillimore, mosfunksionalizimi i Kuvendit është papërgjegjësi politike me pasoja të rënda.

Ne ritheksojmë thirrjen tonë ndaj udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të gjejnë urgjentisht një zgjidhje për tejkalimin e kësaj bllokade. Dialogu, kompromisi dhe përqendrimi në interesin publik duhet të vendosen mbi çdo agjendë tjetër.

Shoqëria civile nuk do të qëndrojë indiferente përballë kësaj situate. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion të vazhdueshëm dhe të kërkojmë llogari, derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës të bëhet funksional”, thuhet në Deklaratën publike të shoqërisë civile pas performancës simbolike para Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme